E kush nuk ka dëgjuar për fshatin Radomirë ose nuk e ka vizituar atë gjatë një ngjitje në Korab. Radomira, është pjesë e 100 fshatrave dhe pozicionohet rrëzë Korabit, ku përveç ajrit të pastër është i rrethuar nga pishat që ja shtojnë akoma më shumë bukurinë. Mespërmes fshatit kalojnë edhe burimet e ujit që bashkohet me lumin e Veleshicës dhe përveç freskisë zhurma qetësuese e rrjedhjes së ujit e bën edhe më të veçantë këtë zonë.
Radomira është vendi ku nis rruga turistike për tu ngjitur Malin e Korabit dhe është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik. Në bjeshkët e Dibrës rreth 35 km larg Peshkopisë, ju do të zbuloni një copë të gjelbër magjike, e cila të befason nga bukuria e lëndinave, maleve dhe përroit përrallor të Veleshicës.
Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në faqet e Korabit janë një resurs që mund t’i japin zhvillim krejt zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit. Në të mund të eksploroni edhe monumente të tjera natyrore si Liqeni Zi, apo edhe Kroi i Mbretit, të cilat kanë specifikën e vetë në këtë zonë.
Mikpritja dhe besimi jane elementë, të cilat i japin vlera të veçanta sociale kësaj zone duke u harmonizuar dhe mjedisin përreth. Madje përdorin edhe moton “Shtëpia është e zotit dhe e mikut”.
Si zonë Radomira dallohet për numrin e lartë të bagëtive, që është dhe ekonomia kryesore e kësaj zone si në te gjithë Kalanë e Dodës. Kjo e ka bërë të njohur edhe për baxhot që merren me përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tjera. Dhe një vizitë në këtë zonë do ju bëjë të provoni shijen unike të produkteve të freskëta që banorët i përgatisin me shumë dashuri.
Të gjitha këto elementë e bëjnë tërheqës fshatin për të gjithë turistët që kërkojnë të eksplorojnë e të marrin diçka ndryshe nga vizitat e tyre.