Razma, destinacion turistik i shqiptarëve dhe turistëve të huaj

Për shkodranët ajo është e njohur në vite, por së fundmi Razma po kthehet në destinacionin e preferuar të shqiptarëve dhe turistëve të huaj. Në një distancë prej vetëm 43 km larg qytetit të Shkodrës dhe në një lartësi prej 900 metrash mbi nivelin e detit, pika turistike e Razmës është e përshtatshme per zhvillimin e turizmit në të gjitha stinën e vitit. Janë të shumtë turistët nga vende të ndryshme të botës, por edhe vizitorët nga Kosova, Mali i Zi dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, që zgjedhin të kalojnë fundjavën në Razëm, apo edhe të shijojnë një drekë me produkte bio, karakteristike për malësinë. Razma në vitin 1953 u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjurmët e së shkuarës, kanë mbetur si relike në mës të ndërtimeve të reja luksoze. Këtë e dëshmojnë shtëpitë karakteristike të Razmës, sot pjesa më e madhe të pabanuara dhe drejt rrënimit. Zona turistike e Razmës ka një sipërfaqe totale prej 3680 hektarë dhe në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine. Gatimet që preferohen në Razëm kanë specifikën e tyre, janë produkte bio të zonës që përgatiten me fanatizëm, ashtu siç e ka traditë malësori. Rrugëtimi i Razmës ka qënë befasues dhe sot ajo pa mëdyshje po fiton hap pas hapi, një vend të rëndësishëm në turizmin malor të qarkut të Shkodrës, por edhe Shqipërisë.