Renault “pensionon” Kadjarin, atë e zëvendëson modeli Austral

Renault ka paralajmëruar “fundin” e modelit Kadjar, që solli në “jetë” vetëm një gjeneratë, e SUV-i i ri kompakt (C-SUV) do të quhet Austral.

Sipas Silvia Dos Santos, menaxher i angazhuar për emërimin e modelit në kuadër të Renault Global Marketing, Austral “paraqet gjallërinë dhe nxehtësinë e hemisferës jugore dhe bën thirrje për hulumtim, që e bën ideal për një SUV”.

Austral është pjesë e paletës së re të veturave kompakte SUV të kompanisë Renault, që mund të lavdërohet me teknologjinë inovative dhe karakteristikat ekologjike.

Në këtë veturë, me gjatësi 4,51 m, pa ndonjë problem mund të udhëtojnë deri në pesë pasagjerë të rritur, pretendojnë nga prodhuesi francez.

Modeli i ri tregon se Renault ka vendosur të rikthej vendin që e kishte në segmentin C të veturave, pas lansimit të modeleve si Arkana/Megane Conquest dhe ai elektrik Megane E-Tech.

Renault Austral zyrtarisht do të prezantohet gjatë verës së vitit të ardhshëm, si zëvendësim për Kadjarin që po “pensionohet”.