Rihapet tenderi i unazës së madhe – Fondi limit, 2.37 mld lekë. Në fazën e parë nuk pati asnjë ofertë të përshtatshme

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur garën për një prej loteve të Unazës së Madhe, që nuk u finalizua me sukses në fazën e parë të tenderimit. Bëhet fjalë për lotin 1 që përfshin plotësim-rakordimin dhe vazhdimi e punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, që u anulua pasi në procedurat me një fazë nuk u dorëzua asnjë ofertë e përshtatshme.

Kjo, ndryshe nga 6 lotet e tjerë që u tenderuan dhe finalizuan me sukses, duke shpallur kompanitë fituese. Sa i takon lotit 1, fondi limit i vendosur në dispozicion është  2.37 mld lekë apo 19.33 mln euro, duke e bërë një procedurë mbi kufirin e lartë monetar e ku ftohen të marrin pjesë edhe kompanitë e huaja. Ky segment do të fillojë në pikën e sotme fundore që është rrethrrotullimi Shqiponja dhe do të vazhdojë përgjatë rrugës ”Vangjel Noti”.

Më pas do të kryqezohet me rrugën ”Adem Jashari” e do të vazhdojë në një zonë ndërtimesh të reja, deri në shtratin e Lumit të Tiranës. Më pas ai vijon në 2 lotet e tjerë për t’u takuar me Bulveardin e Ri, me një gjatësi totale për të 3 segmentet prej 3 kilometrash. Aktualisht, një sërë segmentesh të Unazës së Madhe janë hapur për qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që janë edhe 7 lote të pa ndërtuar, që do të bëjnë dhe bashkimin e plotë të kësaj vepre infrastrukturore.

Gjatë vitit 2022 pritet të nisin punimet në 4 lote që përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, për të cilët është vendosur në dispozcion edhe financimi nga buxheti i shtetit. Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz.