Rivlerësimi i pasurisë, arkëtoi 30 milionë euro deri në fund të 2020

Agjentët imobiliar të GELDTrade bëjnë me dije se rivlerësimi i pasurisë, një proces që po zbatohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës që prej shkurtit të vitit të shkuar solli në buxhetin e shtetit 30 milionë euro të ardhura.

Të dhënat zyrtare tregojnë se për vitin 2020 janë kryer 58,617 aplikime për “Rivlerësim Pasurie”. Nga këto aplikime 29,620 aplikime janë të paguara që do të thotë se qytetarët që kanë shprehur interes kanë çuar deri në fund procesin duke bërë edhe pagesën.

“Diferenca e këtyre aplikimeve ndahet në aplikime të pa paguara nga qytetari që janë 12,075, aplikime të pa trajtuara nga ana e ASHK të cilat janë 8,116 dhe aplikime të anuluara 8,806. Vlera totale në lekë e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për 2020 është 3,7 miliardë lekë” sqarohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Ligji për disa ndryshime në ligjin. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” të ndryshuar parashikon afatin për kryerjen e procedurave nga individët e interesuar deri në 31 dhjetor 2021. Qeveria vendosi shtyrjen e këtij afati duke pasur parasysh qëndrueshmërinë e numrit të aplikimeve të bëra nga qytetarët muaj pas muaji.

Sipas ligjit të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar, ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 31 dhjetor 2021, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi.

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK, apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit, sipas ligjit nr. 90/2019. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.

Individi, ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme, ose vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar). Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së që është kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.

GELDTrade.al