Robotët kinezë thyejnë rekordin e Usain Bolt në Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë


Një robot humanoid kinez ka arritur një rezultat spektakolar në garat e robotëve humanoidë në Pekin, duke përshkuar 100 metra për 9.39 sekonda. Koha është më e shpejtë se rekordi botëror i Usain Bolt prej 9.58 sekondash, vendosur në vitin 2009.

Roboti Tiangong Ultra, i zhvilluar nga Beijing Humanoid Robot Innovation Center, fitoi çmimin e tij në World Humanoid Robot Games. Në fillim të garës mbeti pas robotit Lightning, të zhvilluar nga Honor, por e parakaloi në metrat e fundit. Lightning e përfundoi garën për 9.47 sekonda.

Megjithatë, “sprinti” robotik nuk kishte shumë elegancën e Bolt. Të dy robotët u përplasën me dyshekun e trashë në fund të pistës, ndërsa Tiangong humbi ekuilibrin dhe përfundoi pranë spektatorëve. Lightning u rrëzua dhe u largua nga pista me barelë.

Pavarësisht kësaj, përmirësimi është i jashtëzakonshëm. Në edicionin e parë të vitit të kaluar, Tiangong Ultra e përfundoi 100-metrëshin për 21.50 sekonda. Ndërkohë, Lightning kishte regjistruar 9.32 sekonda në një test përgatitor, duke arritur shpejtësi maksimale prej 14.5 metrash në sekondë.

Lightning ka treguar gjithashtu potencial në distanca më të gjata, duke fituar gjysmëmaratonën humanoide të këtij viti për 50 minuta e 26 sekonda.

Kina po e konsideron robotikën humanoide si një industri strategjike, me investime të mëdha në AI dhe hardware për përdorim në prodhim, logjistikë dhe aplikacione konsumatore. Edicioni i këtij viti ka mbledhur 2,056 robotë nga 666 ekipe, në 16 shtete dhe gjashtë kontinente.

Garat përfshijnë 51 disiplina, nga sprinti dhe futbolli te kërcimi dhe detyrat industriale, duke treguar se gara për robotët humanoidë po kalon nga laboratorët në arenën publike.





Burimi Geekroom.al