Roboti humanoid i Figure AI arrin të punojë pa pushim për 24 orë


Figure AI ka njoftuar se robotët e saj humanoidë kanë arritur një rekord të ri, duke kaluar mbi 24 orë punë autonome të pandërprerë. Testi fillimisht ishte planifikuar për vetëm 8 orë, por pas një performance pa asnjë dështim, kompania vendosi ta zgjasë operacionin në një proces shumëditor pa ndërhyrje njerëzore.

Startup-i me bazë në Kaliforni deklaroi se tre robotë humanoidë po kryejnë renditjen e pakove të vogla gjatë gjithë kohës, duke funksionuar plotësisht në mënyrë autonome. Operacioni u transmetua drejtpërdrejt online dhe shikuesit i pagëzuan robotët me emrat Bob, Frank dhe Gary, të cilët më pas u shtuan edhe zyrtarisht si etiketa mbi robotë.

Themeluesi dhe CEO i kompanisë, Brett Adcock, deklaroi se kalimi i 24 orëve pa asnjë problem përfaqëson një territor të panjohur për robotikën autonome. Sipas Figure AI, robotët kanë renditur tashmë mbi 28 mijë pako, duke ruajtur shpejtësi shumë të afërta me ato të punëtorëve njerëzorë.

Robotët përdorin kamera të integruara për të identifikuar barkodet, për të kapur pakot dhe për t’i vendosur ato në shiritat transportues, pa asnjë formë telekomandimi. Kompania thekson se çdo veprim kryhet drejtpërdrejt nga sistemi i saj i inteligjencës artificiale, i cili funksionon plotësisht në pajisje. Në rast se një robot has një situatë të panjohur ose bllokohet, sistemi aktivizon automatikisht një proces rikuperimi dhe rifillon punën.

Një element tjetër i theksuar është aftësia e flotës për vetë-menaxhim, nëse një robot ka problem teknik ose softuerik, ai largohet vetë për mirëmbajtje, ndërsa një tjetër merr menjëherë vendin e tij për të ruajtur vazhdimësinë e operacionit.

Kjo demonstrim ndërtohet mbi testime të mëparshme, përfshirë prova në ambientet prodhuese të BMW në Karolinën e Jugut. Figure AI po konkurron drejtpërdrejt me kompani si Tesla, Agility Robotics dhe Apptronik për të sjellë robotë humanoidë funksionalë në magazina, fabrika dhe logjistikë.





Burimi Geekroom.al