Roma pret turistë të shumtë, pavarësisht temperaturave të larta

Turistët u përpoqën t’i bënin ballë valës së të nxehtit në Romë, duke shijuar bukuritë e qytetit, ku temperaturat arritën të enjten deri në 39 gradë Celsius.

Të rreshtuar njëri pas tjetrit, vizitorët qëndruan në radhë për të parë shatërvanët e mrekullueshëm të kryeqytetit të Italisë, si dhe për t’u freskuar me ujërat e tyre.

Ventilatorë të mëdhenj që lëshonin ujë të bulëzuar ishin vendosur në hyrjet e amfiteatrit të lashtë romak, për të freskuar turistët që prisnin në radhë.

“Është një verë shumë e nxehtë dhe duhet të pimë shumë ujë, sidomos në këto ditë super të nxehta. Kemi ardhur rrotull duke u djersitur dhe ishte një sfidë e vërtetë për të qëndruar të hidratuar teksa vizitonim këto vende të bukura”, u shpreh Michael Kamtschatnyi, turist nga Gjermania.

E pajisur me një ventilator të vogël, një turiste nga Shtetet e Bashkuara nuk i lejoi vapës afrikane që ta pengonte të vizitonte Romën.

“Duhet të mbash veshur maskën, ndaj është e vështirë. Por sërish, ne po e shijojmë shumë atë që ofron Roma”, tha Monae Watkins, turiste nga SHBA.

Ndërkohë, një buletin i qeverisë italiane thotë se temperaturat pritet të rriten në shumë qytete të Italisë nga e premtja, kur pritet që i nxehti të arrijë pikun.

Italia gjeneron rreth 13 për qind të të ardhurave financiare nga turizmi. Të dhënat nga Bashkia e Romës tregoi se 19.45 milionë persona vizituan kryeqytetin në 2019-n, viti para pandemisë.