Rriten fitimet e bankave, vlera e arkëtuar arriti nivelet e para COVID-19

Pavarësisht krizës së shkaktuar nga pandemia, fitimet e bankave në vend u rritën në 6 muajt e parë të vitit.

Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, sistemi bankar rezultoi me një fitim prej 87 milionë euro duke u rritur me 47 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, madje duke tejkaluar lehtë edhe nivelet e para të krizës shëndetësore.

Po, cilëve faktorë iu dedikohet ky përmirësim?  “Peshën kryesore e mban rritja e ndjeshme e komisioneve, që është rritur me 2.7 herë nga e njëjta periudhë në vitin e kaluar”, thotë ekspertja e financave personale, Brunilda Isaj.

Sipas saj, trendi pozitiv i ndjekur deri më tani, ndikuar edhe nga përmirësimi i ekonomisë, pritet të shtrihet në periudhë afatgjatë.

“Ekonomia ka shfaqur shenja gjallërimi, me 5.5% dhe tregojnë për një performance pozitive e cila ndërthurur edhe me faktorë joekonomikë, si ecuria e pandemisë, gjykojmë se nuk do të ketë një përkeqësim në të ardhmen e afërt.

Ndërhyrjet e Bankës Qendrore gjatë pandemisë në këstet e kredive të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe iniciativat e qeverisë për dhënien e garancive sovrane, duket se kanë ndikuar në lulëzimin e fitimeve të sistemit bankar në vend.