Volumi i shërbimeve postare në vend ka shënuar një rritje të dukshme gjatë muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar-mars janë dërguar apo pranuar në total 6,732,726 objekte postare, me rritje prej 3% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Rezulton se volumin më të madh të objekteve e zë shërbimi universal postar me 82%, ndjekur nga shërbimi ekspres me 13% dhe shërbimi jo universal me 5%.
Përsa i përket shërbimit Universal Postar, vihet re se Posta Shqiptare realizoi gjithsej 5,535,489 objekte, nga të cilat posta brenda vendit zë 97% të objekteve postare dhe posta ndërkombëtare zë 3% të objekteve postare. Për sa i përket Shërbimit Universal brenda vendit, janë regjistruar 4,565,283 shërbime për objekte të thjeshta dhe 785,816 shërbime për objekte të regjistruara/shërbime të veçanta. Në lidhje me Shërbimin Universal Postar Ndërkombëtar, janë regjistruar 37,305 objekte postare të pranuara në Shqipëri dhe të dërguara jashtë vendit dhe 147,085 objekte hyrëse nga jashtë vendit dhe të shpërndara në Shqipëri.
Tregu vijon të dominohet tërësisht nga Posta Shqiptare, e cila është përgjegjëse për 5,535,489 milionë objekte të dërguara apo pranuara, ndërkohë që 35 subjektet e tjerë kanë kryer në total rreth 775 mijë shërbime.
Bie në sy se gjatë këtij viti Posta Shqiptare ka rritur ndjeshëm shërbimin postë ndërkombëtare, me një total prej 184,390 objektesh të pranuara apo të dërguara. Terren në këtë zë kanë humbur ofruesit e tjerë, të cilët kanë kryer vetëm 2,819 shërbime postare ndërkombëtare, ose 83% më pak se një vit më parë.
Referuar të dhënave për Postën Shqiptare, Zëri Postë brenda vendit ka pasur një rritje në masën 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe një rënie prej 9% krahasuar me 3-mujorin e mëparshëm, dhe zëri Postë Ndërkombëtare ka një rritje nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë në nivelin 16% dhe një rënie nëse e krahasojmë me 3-mujorin e mëparshëm në masën 1%.