Në 2022 pati mbiprodhim të vajit të ullirit, ku fillimisht shumë fermerë u përballën me mungesë të tregut të shitjes. Në muajin maj u hap tregu për eksportin e vajit të ullirit, veçanërisht në Itali që më pas përpunohet si brand i huaj. Rritja e kërkesës për vajin rifuxho shqiptar u ndikua nga mungesa e prodhimit të ullirit në vendet, Spanja dhe Italia të mbjellat e të cilëve u prekën nga thatësira e pranverës.
Vaji i ullirit u mblodh nga pikat e grumbullimit me çmim deri në 400 lekë për litër, ku nga fermerët u vlerësuan se shitjet ishin nën kosto. Sakaq nga fermerët pohohet se ditët e fundit çmimi i shitjes së vajit që përpunohet si markë e huaj për eksport është rritur 25%, duke arritur 500 për litër, për shkak të kërkesës së lartë që vijon të jetë jashtë.
Për periudhën janar -qershor 2023 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë u importuan 1,400 ton vaj, kundrejt 326 ton vaj që u importuan në total në 2022. Krahasuar me 2022 eksportet deri në muajin qershor janë 3-fishuar.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Irfan Tarelli tha për Monitor se në raport me vjet importet e vajit të ullirit janë shumë herë më të larta. Ndërsa sipas tij çmimi mesatar i shitjes është 600 lekë për litër.
Pas problematikës së mprehtë të vitit të kaluar ku fermerët u përballën me prodhim të lartë të vajit të ullirit dhe për shkak të mungesës së shitjes u detyruan ta magazinojnë në shtëpitë e tyre, Ministria e Bujqësisë sipas Tarelit parashikon të vijojë me strategjinë për nxitjen e eksporteve , nëpërmjet zbatimit të 3 masave.
“Parashikojmë të shtojmë kapacitetet grumbulluese, depozituese, paketuese dhe etiketimin te vaji i ullirit. Financimi për këto qëllime do të jetë pjesë e programit IPARD III që pritet të fillojë së shpejti. Pra do të vijojë të ndiqet e njëjta skemë 50% e financimit nga fondet e IPARD dhe 50% nga subjektet aplikuese.
Masë tjetër për kulturën e ullirit do të jetë edhe vazhdimi i organizmit të fermerëve për bashkimin e ngastrave me ullinj. Kjo iniciativë ka nisur zbatimin në bashkitë Roskovec dhe Vlorë. Pritet të zbatohet edhe në bashki të tjera, pavarësisht se është e vështirë, pasi për shkak të mentalitetit të fermerëve për mosbashkimin e ngastrave.
Gjithashtu për këtë vit parashikojmë ngritjen e laboratorëve të akredituar pranë Universitetit Bujqësor me qëllimin ofrimin falas së analizave për cilësinë e vajit të ullirit”, pohoi ai.
Në total sipas të dhënave të drejtorisë të Zhvillimit Rural për vitin 2022 u prodhua 150 mijë ton ullinj, rreth 40% më shumë se në 2021. Në total vaji i prodhuar arrinte 25 mijë deri në 30 mijë ton vaj ulliri.
Tareli tha se për vitin 2023 sasia e prodhimit të ullirit pritet të jetë më e ulët se për shkak të kushteve të papërshtatshme klimaterike. Ministria e Bujqësisë parashikon që për vitin 2023 të prodhohen 140 mijë ton ullinj.