Rritet norma mesatare e interesit të kredisë për biznesin
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, norma mesatare e interesit të kredisë së re për biznese rezultoi mesatarisht 5.8% në tremujorin e parë të vitit, nga 5.6% që ishte në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.
Rritja e interesit është regjistruar vetëm për kreditë e vogla (deri në 35 milionë lekë) që lidhen kryesisht me biznesin e vogël, ndërkohë që interesat për kreditë e mesme dhe
të mëdha nuk kanë ndryshuar.
Për individët, normat janë rritur për kreditë hipotekare, në 4.7%, nga 4.2% që shënonin në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.
Ndërsa norma e interesit për kreditë konsumatore, prej 8.4% këtë tremujor, mbetet e qëndrueshme pranë nivelit mesatar të vitit të kaluar.
Gjithsesi, në reflektim të politikës monetare lehtësuese, normat e interesit për kredinë e re në lekë mbeten më të ulëta se niveli i vitit 2019.