Rritet paga mesatare në T4 2021,Shqiptarët u paguan me 4,614 lekë më shumë se një vit më parë

Paga mesatare bruto në Shqipëri ka pësuar rritje më 8.4% gjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas, tregojnë të dhënat më të fundit të “Institutit të Statistikave”, mbi statistikat e pagave. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë llogaritet në 59,565 lekë. Të dhënat tregojnë se rritja e pagës nuk vërehet vetëm në ndryshimet vjetore, por dhe në ato tremujore.

Kështu, shifrat regjistrojnë një rritje prej 5.5% të pagës për tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021. Nëse do të krahasonim ndryshimin vjetor të pagës sipas aktivitetit ekonomik,norma e përgjithshme tregon se paga mesatare bruto ka pësuar rritje në të gjitha aktivitetet. Krahasuar me të njejtin tremujor të vitit të kaluar, rritjen më të madhe prej 11.8% e ka pësuar paga në aktivitetin “Tregtia, transporti, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”.

Aktiviteti i dytë ku paga ka pësuar rritjen më të lartë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, krahasuar me të njejtën periudhë të një vitit më parë është “Industria”, me 11.2%. Ndjek në renditje “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi”, me 10.5%. Nga ana tjetër, rritjen më të vogël e ka aktiviteti i “Pasurive të paluajtshme, aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse”, prej 5,7 %.