Rritet prodhimi, ulet punësimi/ Industria rritet në çdo tregues, përveç punësimit.

Treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave sinjalizojnë rritje të indekseve të shitjeve dhe të prodhimit në sektorë të ekonomisë siç janë Industria, Energjia elektrike, Furnizimi me ujë apo Trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve si dhe Ndërtimi. Të dhënat tregojnë se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, ndërkohë që indekset e shitjeve dhe të prodhimit në këto sektorë kanë pësuar rritje, nga ana tjetër indeksi i numrit të punësuarve ka pësuar rënie në disa prej tyre.

Sektori i industrisë, ku përfshihet industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese, duket se ka pësuar ndryshime pozitive gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021. Në aktivitetin Industri, indeksi i shitjeve neto në volum ka pësuar rritje, me 20.0%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020 , nga ku indeksi i shitjeve për industrinë nxjerrëse është rritur me 43.9%, ndërsa për industrinë përpunuese është rritur me 14%. Rritje po ashtu shënon dhe indeksi i prodhimit në volum, me 17.7%. Brenda sektorit të industrisë, indeksi i prodhimit në volum për industrinë nxjerrëse është rritur më 41.8% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, ndërsa indeksi i prodhimit për industrinë përpunese është rritur, me 8.9%. Të njejtin ndyshim nuk ka patur indeksi i numrit të të punësuarve, i cili ka pësuar rënie me 0.5%. Nga ana tjetër, indeksi i fondit të pagave për aktivitetin e industrisë është rritur me 11.2%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020.