Rritja e agroturizmit

Segmenti i agroturizmit po favorizohet nga pandemia, ku kërkesa për natyrën dhe popullim të ulët mbetet e lartë. Operatorët e këtij sektori vlerësojnë se viti 2021 ishte pozitiv, me rritje të vizitorëve vendas e të huaj, ku nuk kanë munguar edhe tregje të reja, si ato të Arabisë apo tendenca e kamperave. Megjithatë, jo gjithçka ka qenë e lehtë, të gjithë raportuan rritje me 30-40% të çmimit të mishit dhe shtrenjtim të qumështit, i cili ka ndikuar kostot e tyre. Ndërkohë, problem në një pjesë mbetet infrastruktura e dobët dhe problemet me energjinë

Viti 2021, në përgjithësi, ka pasur ecuri të mirë për subjektet e agroturizmit për shkak se njerëzit kanë zgjedhur të jenë pranë natyrës, të konsumojnë ushqime të shëndetshme të rritura në fermë, si dhe për të shmangur grumbullimet. Pavarësisht ecurisë, thuajse të gjithë raportojnë rritje të kostove dhe kjo është më e theksuar te produkti kryesor në agroturizme, mishi.

Por nuk është vetëm mishi. Rritja e disa produkteve ka ardhur zinxhir që nga shtrenjtimi i kostove të prodhimit në ferma. Qumështi është një tjetër produkt me rritje çmimi.

Jo vetëm shqiptarët frekuentojnë agroturizmet në vend. Tendenca e të huajve që u drejtohen këtyre “oazeve” të natyrës gjithmonë e më shumë është në rritje. Madje segmenti i agroturizmit duket se është i ndikuar direkt nga ecuria që ka në tërësi turizmi. Prania e lartë e shqiptarëve të Kosovës, risia e tregut arab dhe shtimi i kamperave që u vërejt në përgjithësi këtë verë ka qenë e dukshme dhe në agroturizme.