Rritja e naftës “përkthehet” në rreth 5200 lekë shtesë në muaj për çdo shofer

Shqiptarët konsumojnë rreth 649 milionë litra hidrokarbure në vit, bazuar në të dhënat e monitorimit për vitin 2020 të konçesionarit të markimit të karburanteve, GFI Albania. Në të gjithë territorin e Republikës gjatë vitit 2020 qarkullonin 628 mijë mjete rrugore, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Ndërkohë, çmimi mesatar i një litri naftë apo benzinë gjatë vitit të kaluar fiksohet në rreth 170 letë për litër, që përkthehet në rreth 481 lekë konsum mesatar ditor për çdo shofer. Me rritjen e çmimit të naftës në 230 lekë për litër, ky konsum mesatar ditor ngjitet në 651 lekë, pra në rritje me 170 lekë në ditë.

Por, si përkthehet kjo rritje ditore e konsumit? 170 lekë në ditë shtesë për cdo shofer është e barabartë me rreth 5200 lekë në muaj. Gjatë vitit 2020 paga mesatare bruto në vendin tonë fiksohej në 54,951 lekë në muaj, e cila përkthehet në 45,553 lekë neto në muaj në xhepat e një shqiptari mesatar. Me 5200 lekë shpenzime shtesë në muaj si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, atëherë, impakti i rritjes së çmimit të naftës do të ishte rreth 11.4% e pagës. Pra, kaq do t`i kushtojë rritja e cmimit të naftës dhe benzinës një shqiptari mesatar që posedon një mjet personal për të qarkulluar.