Sa kushton një metër katror? Për ndërtesat për banim, kosto mesatare në 36,800 lekë

Pavarësisht çmimit me të cilin shitet në treg, në çdo cep të Shqipërisë qoftë, një metër katror shtëpi banimi, private apo rezidencë, ka një kosto mesatare, që në tremujorin e tretë të këtij viti fiksohet në 36.864 lekë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave (Instat), tregojnë se, kosto e ndërtimit të një ndërtese për banesë, mesatarisht, në vendin tonë fikaohet në rreth 36 mijë lekë lekë, bazuar në atë që kanë deklaruar vetë ndërtuesit në aplikimin për lejen e ndërtimit.

Vlera është një mesatare kombëtare vetëm për ndërtesat për qëllim banimi. Kjo shifër regjistron një rritje të ndjeshme krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, kur fiksohej në rreth 33.200 lekë për metër katror. Pra, rritja është në masën 10.7%. Po ndër vite si ka qenë ecuria e kostos së një metri katror ndërtim rezidencial në vendin tonë?

Në analizë janë marrë të dhënat që prej tremujorit të parë të vitit 2017, kur edhe Instat ka filluar publikimin e të dhënave në lidhje me lejet e ndërtimit. Pikërisht tremujori i parë i vitit 2017 nuk është marrë parasysh në grafik pasi me shumë gjasa kemi të bëjmë me një lapsus në raportimin e të dhënave dhe publikimin e tyre nga ana e Institutit të Statistikave (vlera për metër katror rezulton në 131 mijë lekë).

Shifrat sinjalizojnë gjithashtu se në kategorinë e ndërtesave për banim, ato ndërtesa me 3 kate e sipër, që në pjesën dërrmuese i referohen pallateve, ka një kosto ndërtimi për metër katror ne 36,349 lekë, ndërkohë që rritet ndjeshëm për banesat me vetëm 2 kate.