Sa para duhet të keni me vete për të kaluar kufirin?

Bashkimi Europian ka miratuar së fundmi një vlerë të unifikuar për të 27 vendet e saj mbi sasinë e parave që një udhëtar mund të ketë me vete në vendkalimet kufitare. Mësohet se që nga dita e sotme, 3 qershor, në të gjithë vendet e BE hyjnë në fuqi rregullat e reja për kontrollin e parave cash si dhe sendet me vlerë që hyjnë dhe dalin nga BE.

Sipas vendimit, nëse fluturoni nga një vend anëtar i BE për në Tiranë dhe keni deri në dhjetë mijë euro me vete ose ekuivalentin e kësaj vlere në valutë tjetër, nuk jeni të detyruar të deklaroni shumën në pikat kufitare.

Ndërsa, nëse keni 10 mijë euro e më shumë, çdo udhëtar që hyn në BE apo del prej saj, duhet të plotësojë një deklaratë ku justifikon burimin e parave dhe qëllimin e transportimit të tyre. Qëllimi i këtij rregulli, sipas BE është për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Rregullat e reja do të sigurojnë që autoritetet kompetente dhe njësitë kombëtare të inteligjencës financiare në secilin shtet anëtar të kenë informacionin e nevojshëm për të monitoruar dhe trajtuar flukset e parave që mund të përdoren për të financuar veprimtari të paligjshme.