Samsung Electronics prezantoi monitorin e ri Odyssey G6 (G60H), me ekran 27 inç, i cili është monitori i parë gaming në botë që mbështet shpejtësi rifreskimi deri në 1.100 Hz në rezolucion HD. Monitori është gjithashtu i pajisur me funksionin Dual Mode, i cili u mundëson lojtarëve të zgjedhin mes rezolucionit HD me shpejtësi rifreskimi deri në 1.100 Hz dhe rezolucionit QHD me shpejtësi rifreskimi deri në 600 Hz, në varësi të lojës dhe stilit të preferuar të lojës.
Odyssey G6 është projektuar për lojëra dinamike, ku ndjekja e saktë e lëvizjeve dhe reagimi i shpejtë janë thelbësore. Paneli i tij Fast IPS kombinon shpejtësinë e lartë të rifreskimit me kohën e reagimit prej 1 ms (GtG – nga një nuancë gri në tjetrën), duke reduktuar turbullimin e lëvizjeve dhe duke siguruar një paraqitje më të rrjedhshme të përmbajtjes në ekran.

“Me monitorin Odyssey G6, ne kombinojmë shpejtësinë jashtëzakonisht të lartë të rifreskimit me qartësinë e përmirësuar të lëvizjeve, duke u mundësuar lojtarëve të kalojnë lehtësisht nga një modalitet shfaqjeje në tjetrin, sipas preferencave të tyre”, deklaroi Hun Li (Hun Lee), nënkryetar ekzekutiv i njësisë së biznesit të ekraneve vizuale (Visual Display – VD) në Samsung Electronics. “Ne do të vazhdojmë të avancojmë teknologjinë e ekraneve për ta bërë përvojën e lojërave edhe më mbresëlënëse.”
Shpejtësi dhe qartësi e lartë për lojërat konkurruese
Funksioni Dual Mode u mundëson lojtarëve të zgjedhin shpejtësinë e rifreskimit që i përshtatet më mirë një loje të caktuar, thjesht duke ndryshuar rezolucionin, duke ofruar kështu një përvojë më fleksibile dhe të optimizuar. Qoftë në lojërat me botë të hapur, ku rezolucioni i lartë është i rëndësishëm për t’u zhytur plotësisht në mjedisin virtual, apo në lojërat me qitje në vetën e parë (FPS), ku përparësi ka rifreskimi më i shpejtë i imazhit, Dual Mode mundëson përshtatjen e lehtë sipas preferencave personale. Në modalitetin HD, monitori arrin shpejtësi rifreskimi deri në 1.100 Hz, për të shfaqur skena me lëvizje jashtëzakonisht të shpejta, ndërsa në modalitetin QHD ofron imazhe më të mprehta me rezolucion 2.560 × 1.440 pikselë dhe shpejtësi rifreskimi deri në 600 Hz.
Odyssey G6 prezanton gjithashtu funksionin e ri Odyssey Clear Motion, i cili redukton turbullimin e lëvizjeve dhe i ndihmon lojtarët të ndjekin më qartë aksionin e shpejtë në momentet vendimtare të lojës. Falë një algoritmi të optimizuar për reduktimin e turbullimit, Odyssey G6 siguron pamje të qarta dhe të mprehta edhe në skenat me ndryshime të menjëhershme. Pas prezantimit të këtij funksioni në modelin Odyssey G6, Samsung planifikon ta sjellë Odyssey Clear Motion edhe në modele të tjera të monitorëve gaming.
Lojëra më të rrjedhshme dhe paraqitje e detajuar HDR
Odyssey G6 mbështet teknologjinë Samsung HDR10+ GAMING, e cila optimizon në kohë reale ndriçimin dhe kontrastin, për të siguruar paraqitje më cilësore të skenave të ndritshme dhe të errëta. Funksioni Black Equalizer e bën më të lehtë dallimin e detajeve në pjesët më të errëta të imazhit, duke përshtatur nivelet e ulëta të ndriçimit dhe duke rregulluar automatikisht parametrat sipas zhanrit të lojës, për një përvojë optimale.
Mbështetja për teknologjitë NVIDIA G-SYNC Compatible dhe AMD FreeSync Premium ndihmon në reduktimin e ndërprerjeve të imazhit, efektit të grisjes së figurës dhe ngecjeve gjatë shfaqjes, duke mundësuar një përvojë më të rrjedhshme të lojërave kur përdoren karta grafike të përputhshme.

Mundësi të avancuara lidhjeje për përdorim më të lehtë
Cilësia kristal e qartë e imazhit plotësohet nga mundësitë e avancuara të lidhjes. Me një portë DisplayPort 2.1 dhe dy porta HDMI 2.1, Odyssey G6 mundëson lidhjen e disa pajisjeve. Funksioni Auto Source Switch+ identifikon automatikisht një burim të ri të lidhur të sinjalit, duke u mundësuar lojtarëve të kalojnë nga një pajisje në tjetrën pa pasur nevojë të zgjedhin manualisht hyrjen.
Përdorimi më i lehtë mbështetet edhe nga dizajni ergonomik premium i monitorit Odyssey G6. Lojtarët mund të rregullojnë lartësinë e ekranit, pjerrësinë, rrotullimin majtas dhe djathtas, si dhe pozicionimin vertikal të tij, në mënyrë që monitori të përshtatet me hapësirën dhe mënyrën e tyre të lojës.
Odyssey G6 i bashkohet portofolit të monitorëve gaming të Samsung, duke përforcuar pozicionin udhëheqës të kompanisë në tregun global të monitorëve gaming, të cilin e mban prej shtatë vitesh radhazi, nga viti 2019 deri në vitin 2025.
Disponueshmëria, çmimet dhe fillimi i shitjeve ndryshojnë sipas tregut. Për më shumë informacion, vizitoni Samsung.com.
