Samsung sjell ekosistemin Galaxy edhe në syzet e përditshme


Samsung Electronics prezantoi sot syzet e tij inteligjente në eventin Galaxy Unpacked në Londër. Duke u bazuar në konceptet e prezantuara gjatë edicionit më të fundit të Google I/O, modelet e reja janë zhvilluar në bashkëpunim me markat globale të syzeve Gentle Monster dhe Warby Parker. Këto syze inteligjente tregojnë se si ekosistemi Galaxy mund të shkojë përtej smartfonit dhe të integrohet në syze që mbështesin rutinën e përditshme, punën, udhëtimet dhe momentet kur përdoruesit kanë nevojë të mbajnë duart të lira.

Çfarë sjell të re ?

  • Të projektuara për përdorim të përditshëm, syzet kombinojnë një kornizë të lehtë dhe një profil të hollë me qëndrueshmërinë dhe komoditetin e nevojshëm për t’u mbajtur gjatë gjithë ditës.
  • Të zhvilluara në bashkëpunim me Gentle Monster dhe Warby Parker, syzet pasqyrojnë ekspertizën e secilës markë në dizajn, duke ofruar një gamë modelesh në formë, ngjyra dhe opsionesh lentesh që u përshtaten preferencave dhe stileve të ndryshme të jetesës.

Ndërsa inteligjenca artificiale po transformon përvojat mobile, hapi i radhës është t’i bëjmë këto përvoja më intuitive dhe më të përshtatshme me kontekstin e secilit përdorues,” tha Won-Joon Choi, Drejtor Operativ (Chief Operating Officer) i divizionit Mobile eXperience (MX) në Samsung Electronics. “Syzet inteligjente krijojnë një mënyrë të re ndërveprimi, duke sjellë asistencë më të personalizuar të inteligjencës artificiale në mënyrë natyrale në momentet që përbëjnë jetën e përditshme.”

Pse ka rëndësi ?

Ndërsa inteligjenca artificiale hyn në epokën e Agentic AI , pyetja nuk është më vetëm sa inteligjente bëhet ajo, por edhe ku dhe si kjo inteligjencë ndërvepron me njerëzit. Smartfonët mbeten në qendër të përvojave të lidhura, ndërsa pajisjet në të gjithë ekosistemin Galaxy shtojnë kontekst në momente të ndryshme të jetës së përditshme. Syzet inteligjente përfaqësojnë hapin e radhës në këtë evolucion, duke e afruar inteligjencën artificiale me përdoruesit ndërsa ata lëvizin, punojnë, komunikojnë dhe eksplorojnë, pa qenë e nevojshme që çdo ndërveprim të nisë nga një ekran.

Të krijuara pikërisht për këto momente, syzet inteligjente sjellin inteligjencën artificiale drejtpërdrejt në fushën e shikimit të përdoruesit, duke ofruar informacion dhe asistencë në kohën e duhur, ndërsa i lejojnë ata të mbeten të përqendruar te njerëzit, vendet dhe aktivitetet që i rrethojnë. Kontrollet e qarta dhe mekanizmat mbrojtës mbështesin një përdorim të përgjegjshëm dhe të sigurt, ndërsa funksionimi pa përdorimin e duarve (hands-free) ofron asistencë në mënyrë natyrale, pa i detyruar përdoruesit të ndërpresin atë që po bëjnë ose t’i drejtohen një ekrani tjetër.

Një përvojë e re me syzet inteligjente

Të projektuara për përdorim të përditshëm, syzet kombinojnë një kornizë të lehtë, një profil të hollë dhe performancë të qëndrueshme të baterisë, duke ofruar deri në nëntë orë përdorimi me një karikim të vetëm, si edhe deri në shtatë karikime të plota shtesë përmes kutisë së karikimit. Kamera e integruar sjell kontekst vizual në përvojën e inteligjencës artificiale, ndërsa platforma Snapdragon® AR1 Gen1 mundëson performancën e AI të krijuar për asistencë në kohë reale. Ndërveprimi me prekje, lidhja, efikasiteti energjetik dhe menaxhimi termik janë optimizuar për t’u përshtatur me formatin kompakt të syzeve.

Si një zgjerim pa përdorimin e duarve (hands-free) i përvojës Galaxy, pajisja u mundëson përdoruesve të qëndrojnë të përqendruar te momenti. E zhvilluar në partneritet me Google, ajo integron Gemini në një format të njohur pajisjeje të veshshme (wearable), duke e bërë ndërveprimin më natyral, më të menjëhershëm dhe më intuitiv.

“Google dhe Samsung ndajnë të njëjtin vizion për të sjellë inteligjencë të dobishme dhe të ndërgjegjshme për kontekstin në jetën e përditshme,” tha Sameer Samat, President i Android Ecosystem në Google. “Të ndërtuara mbi platformën Android XR, syzet inteligjente kombinojnë dizajn të klasit botëror me asistencën e avancuar të Gemini, e cila reagon në mënyrë natyrale ndaj asaj që përdoruesi sheh, duke ofruar mbështetje pa përdorimin e duarve gjatë gjithë ditës. Jemi të entuziazmuar ta vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe ta sjellim së shpejti këtë përvojë te përdoruesit.”

Përvojat kryesore përfshijnë:

  • Të qëndroni të përqendruar te momenti: Pajisja mund të ndihmojë në përmbledhjen e mesazheve të gjata, të lexojë me zë informacionet kryesore, të mbështesë përkthimin në kohë reale dhe t’u mundësojë përdoruesve të kontrollojnë përvojën përmes komandave të thjeshta zanore ose gjesteve në pajisjet e lidhura.
  • Kapja e kontekstit: Me kërkesën e përdoruesit, syzet mund të regjistrojnë atë që ai po sheh, si p.sh. një tabelë shkrimi ose një diskutim gjatë një takimi, të organizojnë informacionin kryesor në Notes dhe ta bëjnë më të lehtë rishikimin, ndarjen dhe ndjekjen e tij në një moment të mëvonshëm.
  • Ndërveprim në kohë reale: Përdoruesit mund të kërkojnë udhëzime bazuar në vendndodhjen e tyre, si gjetja e një rruge, vendosja e një destinacioni ose kuptimi i asaj që ndodhet përreth, ndërsa përkthimi në kohë reale mund të lehtësojë komunikimin në një gjuhë tjetër.
  • Asistencë e ndërgjegjshme për kontekstin: Pajisja mund të ofrojë ndërveprime të mëtejshme më të dobishme duke kuptuar kontekstin aktual të përdoruesit dhe duke lidhur informacionin përkatës ndërmjet detyrave të ndryshme, në mënyrë që përdoruesit të vazhdojnë aty ku e lanë, me më pak përsëritje.
  • Ndarje vizuale në kohë reale: Përdoruesit mund të ndajnë atë që po shohin gjatë një telefonate ose të regjistrojnë këndvështrimin e tyre, duke e bërë komunikimin më të drejtpërdrejtë dhe më të natyrshëm, ndërsa i mbajnë duart të lira.

Një qasje më personale ndaj syzeve

Syzet janë njëkohësisht një produkt funksional dhe një shprehje e stilit personal. Samsung bashkëpunoi me Gentle Monster dhe Warby Parker për të krijuar syze inteligjente që ndërthurin dizajnin e menduar me kujdes, komoditetin dhe përshtatshmërinë për përdorim të përditshëm. Duke kombinuar mjeshtërinë e Samsung në zhvillimin e pajisjeve harduerike me qasjen unike të dizajnit të secilës markë, ky bashkëpunim ofron një gamë më të gjerë stilesh që përshtaten me preferenca, stile jetese dhe raste të ndryshme.

Gjatë eventit Galaxy Unpacked, Samsung prezantoi dy modele të veçanta të krijuara nga Gentle Monster dhe Warby Parker.

Edicioni i Gentle Monster përmban një kornizë të hollë në ngjyrë të zezë, duke kombinuar pjesën e sipërme të drejtë të kornizës me skaje të poshtme të rrumbullakosura lehtë, për të krijuar një siluetë elegante dhe moderne. Modeli i Warby Parker karakterizohet nga një linjë vetullash e ngritur lehtë dhe një nuancë kafe e pasur, duke krijuar një formë të rafinuar dhe të gjithanshme, ideale për përdorim të përditshëm.

Gjatë gjithë procesit të dizajnit, Samsung punoi ngushtë me partnerët e syzeve për të përmirësuar pikat kryesore të përshtatjes, si zona e ballit dhe e veshëve. Këto njohuri ndihmuan në formësimin e modeleve përfundimtare, duke rritur komoditetin dhe përshtatshmërinë për përdorim të përditshëm. Elementët e përshtatjes u optimizuan sipas secilit model, krahas qëndrueshmërisë dhe performancës së besueshme.



Burimi Geekroom.al