Sejko ngre shqetësimin: Të rishikohet skema e pensioneve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë shprehu shqetësimin për deficitin e lartë që po shkakton skema e pensioneve, edhe pse synohet rritja e përfitimeve për ata që marrin më pak. Sipas tij skema aktuale ka kosto shumë të lartë për buxhetin e shtetit.

“Në projektbuxhetin e vitit 2024, këto skema parashikohet të krijojnë një deficit rreth 3.6 për qind të PBB-së ose 1.1 pikë % më të lartë se deficiti buxhetor.

Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale.

Po ashtu, ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar”, tha Sejko.

Guvernatori gjatë fjalës së tij ka vënë theksin edhe te inflacioni, pasi sipas tij mbetet sfida prioritare e politikave ekonomike.

“Nivelet e larta të inflacionit kanë qenë dhe mbeten sfida prioritare e politikave tona ekonomike. Ne vazhdojmë të sugjerojmë hartimin e planeve të kontigjencës, për të përballuar ndikimin e mundshëm negativ, që goditje të paparashikuara mund të kenë në realizimin e të ardhurave. Këto plane kontigjence duhet të synojnë, në çdo rast respektimin e kufijve të miratuar të deficitit buxhetor dhe ruajtjen e trajektores rënëse të borxhit publik.”, tha Sejko.