Selca e Kelmendit – Fshati i Bukurive Natyrore të Fshehura mes Maleve

Nëse jeni në kërkim të natyrës së egër të pasur me shpella, kanione, ujëvara, burime, pllaja dhe peizazhe të magjishme zona e Kelmendit do t’ju mahnisë. Bukuritë e shumta natyrore të kësaj zone kanë shtuar vëmendjen e turistave vendas edhe të huaj. E nëse vizitoni këtë zonë  ju do të njiheni me kulturën, traditën dhe natyrën e paprekur shqiptare. Kelmendi pa frikë mund të konsiderohet vendi ideal ku do të ndijeni vlerat e një përkujdesjeje shumëshekullor të njeriut ndaj natyrës.

Në mesin e destinacioneve që duhet vizituar në këtë malësi është edhe fshati Selcë, i cili ndodhet 8 km në anën veriore të qendrës së komunës së Kelmendit. Kjo zonë njihet për një natyrë të pasur e që rrethohet nga majat e larta. Fshati përshkohet nga kanioni i Gerrlës, i cili është krijuar nga rrjedhat e fuqishme të lumit Cem, duke i dhuruar një bukuri mahnitëse zonës.

Një ndër atraksionet e cila kohët e fundit po fton shumë turistë është edhe ujëvara e Selcës ose siç e njohin banorët ujëvara e Sllapit. Për të arritur në këtë destinacion do ju duhen rreth 2 orë ecje ku do të keni mundësi të eksploroni shtigje malore interesante, peizazhe shumë të bukura, si edhe shpellat e shumta. Janë rreth tetë të tilla, të cilat janë formuar nga veprimtaria karstike, ndër të cilat përmendim Shpella e Pogonicёs, Shpella e Gradёs, Shpella e Rrugёs, Shpella e Vllojakut, Shpella e Pajës, Shpella e Turçinit, etj. Vizita në disa nga këto shpella, do ju bëj të mbusheni me energji të reja, për të vijuar drejt ujëvarës, e të njiheni me këtë mrekulli natyrore që do të mbetet gjatë në kujtesën tuaj. Ujëvara fillon me një burim të fuqishëm që del nga një e çarë shkëmbi e cila është  formuar prej vitesh dhe rrëzohet nga një lartësi afro 30 m, duke i dhuruar zonës një ndër perlat natyrore në tokë.

Fshati Selcë është një galeri e pasur me peizazhe natyrore që kërkon ditë për t’u eksploruar, jo vetëm për  t’i shijuar, por edhe për të udhëtuar në histori. Në këtë fshat do të gjeni edhe tarracën e Greçes, një monument natyre në të cilën u mbajt edhe kuvendi  me të njëjtin emër, ku u nënshkrua memorandumi i krerëve shqiptarë më 23 qershorit 1911, i cili kërkonte krijimin e një province të pavarur. Pjesë e këtij monumenti natyror është edhe ahu i kësaj zone, i cili është një trung me kurorë të veçantë dhe mendohet se është qindra vjeçarë. Pikërisht nën hijen e tij burrat u mblodhën dhe hartuan memorandumin drejtuar Portës së Lartë për njohjen e kombësisë shqiptare. Gjithashtu në këtë zonë janë kryer edhe beteja të shumta antiturke, ku përmendim edhe trimërinë e Norës së Kelmendit e cila vrau pashain turk.