Sërish shtyrje për aeroportin e Sarandës, ministria ndryshon kriteret e pjesëmarrjes në garë, zgjatet edhe afati i dorëzimit të ofertave

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar për herë të dytë kriteret dhe afatin e dorëzimit të ofertave për garën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e aeroportit të Sarandës. Ndryshimet e kritereve që duhet të plotësojnë investiorët e interesuar lidhen me pjesëmarrjen kontrolluese apo përfituesin fundor të aksioneve, si dhe me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

Ndërkohë që, afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve do të jetë data 14 tetor. Me shpalljen e  garës, afati përfundimtar për kompanitë e interesuara ishte data 23 shtator, por ai fillimisht u shty për në datën 4 tetor, teksa tashmë është shtyrë sërish. Kontrata për ndërtimin e aeroportit të Sarandës do të ketë një kohëzgjatje 35-vjeçare, ndërkohë që vlera e parashikuar e investimit është 34.32 mln euro. Ky investim do të kryhet nga kompania që do të shpallet fituese në garë, ndërkohë që pas projektimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes, në përfundim të periudhës 35-vjeçare do të bëhet transferimi i veprës aeroportule pranë organeve shtetërore.

Ndërkaq, në kërkesat specifike, theksohet se koncesionari do të sigurojë që Terminali, pas fillimit të operacioneve dhe para fillimit të zgjerimit të tij, duhet te akomodoje jo me pak se 130 000 pasagjerë në vit. Ndërkohë që, pas vitit të pestë të operimit, pritet që numri i pasagjerëve të rritet në 300 mijë në vit, ndërsa pas 10 vitesh, në 700 mijë në vit.

Paralelisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zbardhur edhe draft-kontratën që do të nënshkruhet me kompaninë fituese, sipas së cilës shteti shqiptar do të përfitojë 2% të të ardhurave vjetore bruto të aeroportit të Sarandës, në formën e një tarife koncesionare. Më herët autoritetet kanë deklaruar se aeroporti i Sarandës do të ketë kryesisht profilin e një aeroporti turistik, që funksionon zakonisht 7-8 muaj në vit, por ai mund të shërbejë edhe përtej sezonit për fluturime të brendshme.