Shefi i ChatGPT kërkon vendosjen e rregullave për inteligjencën artificiale

Sam Altman, shef ekzekutiv i kompanisë OpenAI, që ka në pronësi ChatGPT, u tha ligjvënësve amerikanë se vendosja e rregullave për inteligjencën artificiale është thelbësor.

Ligjvënësit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet e inteligjencës artificiale, teksa senatori amerikan, Richard Blumenthal, hapi seancën me një zë të zhvilluar nga kompjuteri, që tingëllonte jashtëzakonisht ngjashëm me zërin e tij, teksa lexoi një tekst të krijuar nga ChatGPT.

“Nëse keni qenë duke na dëgjuar nga shtëpia, mund të keni menduar se ky është zëri im dhe këto ishin fjalët e mia, por në fakt zëri nuk ishte i imi”, tha Blumenthal.

Teknologjitë e inteligjencës artificiale “janë më shumë sesa eksperimente hulumtuese. Ato më nuk janë fantazi, janë reale dhe janë prezentë”, tha Blumenthal.

Altman dëshmoi para një nënkomiteti të Senatit dhe i bëri thirrje Kongresit amerikan që të vendosë rregulla të reja ndaj fushës së teknologjisë, pavarësisht se ndarjet e thella politike për vite me radhë kanë bërë që të bllokohet legjislacioni që synon të vendosë rregulla për internetin.

Por, qeveritë në mbarë botën janë nën presion që të veprojnë shpejt pas daljes në treg të ChatGPT, që mund të prodhojë përmbajtje të ngjashme me njeriun, gjë që shkaktoi edhe frikë në mesin e përdoruesve.

Altman që atëherë është bërë fytyra botërore e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të ketë efekte negative në shoqëri.

“OpenAi është krijuar me besimin se inteligjenca artificiale ka potencial për të përmirësuar pothuajse çdo aspekt të jetës sonë, por po ashtu krijon rreziqe serioze”, tha Altman para Senatit.

Ai insistoi se tash për tash, teknologjia e zhvilluar nga OpenAi do të “adresojë disa prej sfidave më të mëdha të njerëzimit, sikurse ndryshimet klimatike dhe shërimin e kancerit”.

Megjithatë, duke pasur parasysh rrezikun nga dezinformatat dhe problemet e tjera, “ne mendojmë se qeveritë duhet të ndërhyjnë duke vendosur rregulla që do të ishin thelbësore për uljen e këtyre rreziqeve nga modelet gjithnjë e më të fuqishme”, tha ai.

Altman sugjeroi që Qeveria amerikane mund të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së kushteve të licencimit dhe testimit para se të nxirren në treg modele të fuqishme të inteligjencës artificiale dhe autoritetet të kenë edhe fuqinë që të heqin licencat e operimit nëse shkelen rregullat.

Ai po ashtu rekomandoi që të ketë një koordinim më të madh global për vendosjen e rregullave mbi teknologjinë, por edhe për krijimin e një agjencie në SHBA që do të merrej me inteligjencën artificiale.

Senatori Blumenthal tha se Evropa veçse ka nisur punën për legjislacionin për inteligjencën artificiale, që pritet të hidhet në votim muajin e ardhshëm në Parlamentin Evropian.

Sipas këtij legjislacioni, nëse miratohet, në BE mund të ndalohen sistemet e inteligjencës artificiale që bëjnë vëzhgime biometrike apo që kanë aftësi për të njohur emocionet.

Ligjvënësit amerikanë po ashtu thanë se dëshirojnë të vendosin masa të posaçme të transparencës për ChatGPT dhe modele të ngjashme, sikurse janë njoftimet për përdoruesit se prodhimi që u ofrohet është krijuar nga një makinë.