Shell dështon në nxjerren e naftës në Shpirag, deklaron humbje të mëdha

Gjiganti ndërkombëtar i hidrokarbureve, Shell, ka konfirmuar zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen e saj nga ky vendburim. Në raportin e rezultateve për tremujorin e parë të këtij viti, kompania raporton se do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri.

“Për tremujorin e parë, fshirjet e kërkimit të puseve pritet të jenë 0.6 miliardë dollarë, kryesisht në Shqipëri,” deklaroi kompania në përditësimin e rezultateve financiare për tremujorin e parë të vitit, raporton Kapitali.al.

Kompanitë e naftës shpenzojnë miliarda dollarë për kërkimin e vendburimeve të reja duke mbledhur të dhëna sizmike dhe duke shpuar puse për të zbuluar vendburime të reja naftë dhe gazi. Por kur kërkimet dështojnë ose puset rezultojnë të paleverdishme, kompanitë i fshijnë ato nga regjistrat e tyre kontabël.

Verën e kaluar, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka folur për zbulimin në Shpirag, duke thënë se është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte. Ai tha se pas analizës në Holandë rezulton se nafta e gjetur në Shpirag është e cilësisë së lartë, duke e krahasuar me atë të Arabisë Saudite.

“Lajmi tjetër është se nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë. Se në të shkuara janë burime të një nafte të rëndë që si e tillë përdoret për bitium, solar dhe nuk është naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është modeste.

Ndërkohë që sipas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta në Shpirag është e njëjtës cilësi me Arabinë Saudite. Kompleksi është 7 miliardë euro investim në vendin tonë. Investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës, ndarjes në gaz, naftë dhe squfur”, u shpreh Rama në Gusht 2023.

Megjithatë, muajt kaluan dhe teksa pritej që kompania Shell të shpallte suksesin e saj në Shpirag, është njoftuar dështimi për shkak se rezerva e madhe e gazit dhe naftës është shumë thellë nën tokë dhe kostot për nxjerrjen e saj janë të mëdha.