Shkëmbimet tregtare me Kroacinë llogariten 1.1 miliardë lekë gjatë 2-mujorit të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) gjatë periudhës janar-shkurt 2021, eksportet rezultuan 526 milionë lekë nga 358 milionë lekë që ishin në 2020, ndërsa importet zbritën në 582 milionë lekë nga 793 milionë lekë që ishin në vitin e mëparshëm.
Shqipëria eksporton drejt Kroacisë alumin, këpucë, peshk të përpunuar, perime, ndërsa importon kryesisht naftë, produkte të peshkut, transformatorë elektrikë dhe çokollata.
Fushat më me interes për bashkëpunim janë energjia, inxhinieria mekanike, elektrike dhe elektronike, farmaceutike, ushqimore, tekstile e këpucë, dhe veçanërisht ndërtimi.
Shqipëria paraqet edhe mundësi të mëdha për investime, pasi barra fiskale për investitorët e huaj është ndër më të ulëtat në rajon. Qeveria ka ngritur një agjenci (AIDA), e cila asiston çdo investitor të huaj që në hapat e parë.









