Kalaja e Drishtit është kala e banueshme, por që nga viti në vit është degratuar si fati i shumë monumenteve kulturore në Shqipëri.Tani në të jetojnë vetëm 11 familje. “Vijnë turistë këtu tek ne, por janë të paktë. Kërkojnë të dinë për kalanë dhe historinë e saj, por nuk ka kush t’ua tregojë si duhet”, sqaron banori Dyl Braha.Si për shumë gjëra edhe për këtë kala është premtuar dhe është premtuar se do të vihet dorë mbi të.
Dyli vazhdon dhe tregon legjendën e kalasë.
“Nëntoka është e mbushur me tunele. Gojë pas goje është thënë se në këto tunele janë fshehur thesare me ar. Madje thuhet se kush ka gjetur ar nuk ka pasur mbarësi, pasi është pasuri me amanet dhe nuk sjell mbarësi. Unë nuk e di sa e vërtetë është kjo histori, por di që kanë ardhur nga Turqia shumë grupe dhe kanë gërmuar për të gjetur arin”, tregon Dyli.
Monumenti rrënojë, mes shtëpive të varfra të banoreve duket se ka ndaluar në kohën kur Edit Durham eksploruesja e vendeve tona në librin “Brenga e Ballkanit” shkruan për Drishtin: “Nga viset afër Shkodrës, më fatzi ishte Drishti, fshati i grave të burgosura në Podgoricë …Malazezët, që kishin ngritur aty afër kampin, jo vetëm kishin prerë për djegie çdo dru ulliri, por edhe rrënjët i kishin shkulur. Kopshtet e paqme që shtriheshin gjatë bregut të lumit dhe që prodhonin për treg, me sistemin e ujitjes të bërë me mjeshtëri, ishin zhdukur. Gjysma e shtëpive ishin djegur. Të gjitha ishin plaçkitur. Kur i vizitova ata të mjerë që ishin gjallë ishin prekur nga lija. Tetëmbëdhjetë të sëmurë ishin grumbulluar të gjithë në shpellë… Gratë kërruseshin në kasolle të bëra me shkopinj të mbështetur në muret e shkatërruara të shtëpive të tyre dhe gatuanin gjethe e bar për fëmijët. Mjaft prej tyre ishin gjysmë të zhveshura…”