Në Deltona High School në Florida, siguria shkollore mund të ndryshojë rrënjësisht këtë vjeshtë me vendosjen e dronëve të avancuar për reagim ndaj sulmeve me armë. Këta dronë, të quajtur Black Arrows dhe të zhvilluar nga Mithril Defense, mund të fluturojnë me shpejtësi deri në 160km/h në orë, të aktivizojnë alarme, drita paralajmëruese dhe madje të përdorin spray me piper kundër sulmuesve.
Ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë në SHBA, ku shtete si Florida dhe Georgia po testojnë teknologji të reja sigurie, të mbështetura me mbi 500,000 dollarë fonde publike. Sistemi, i quajtur “Campus Guardian Angel”, synon reagim të menjëhershëm nga dronët që kontrollohen nga operatorë në distancë dhe mund të arrijnë më shpejt se policia në vendngjarje.

Kompania u themelua në vitin 2023 nga Justin Marston dhe Bill King, të frymëzuar nga përdorimi i dronëve në konflikte moderne. Dronët qëndrojnë të fshehur në tavan dhe aktivizohen vetëm në rast rreziku, duke u nisur në grupe dhe duke transmetuar video në kohë reale për forcat e rendit. Ata kanë autonomi 10–15 minuta, kohë e mjaftueshme për të krijuar avantazh taktik.
Kostoja e sistemit është afërsisht 8 dollarë në muaj për nxënës. Në disa zona, prindërit kanë mbledhur fonde për ta sjellë këtë teknologji në shkolla. Për zhvillimin e simulimeve dhe navigimit, përdoret teknologji e ngjashme me atë të Fortnite për krijimin e hartave 3D të ambienteve shkollore.
Megjithatë, projekti ka ngritur shqetësime etike. Kritikët argumentojnë se fondet mund të përdoren për probleme si shëndeti mendor dhe paralajmërojnë për rrezikun e abuzimit me forcën në distancë. Përfaqësues nga American Civil Liberties Union theksojnë se përdorimi i tillë mund të tejkalohet lehtë.
Megjithatë, kompania beson se teknologjia mund të ndihmojë në parandalimin e tragjedive dhe planifikon ta zgjerojë përdorimin e saj edhe në industri të tjera si energjia dhe financa.









