Pagesat ndaj ndërmarrjeve që furnizojnë tregun, pas kontratave që lidhin me qeverinë do të kryhen brenda 2 muajve. Deri më sot afati ligjor ka qenë 12 muaj, por për të nxitur konkurrencën e biznesit do të reduktohet.
Me qëllim funksionimin e tregut të brendshëm në Shqipëri dhe nxitjen e konkurrencës së ndërmarrjeve tregtare, qeveria propozon ndryshime në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktuale dhe tregtare”. Drafti i cili ka shkuar në Kuvend, ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se detyrimet kontraktuale janë të përmbushura në masën 98% dhe vetëm operatori i shërbimit të kujdesit shëndetësor, kishte një detyrim prej 360 mijë lekësh, i cili tashmë edhe ky është likujduar.
Projektligji shkurton afatet e pagesave të vonuara në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e operatorëve ekonomikë kundrejt autoriteteve publike për rastet specifike, siç është rasti i transaksioneve në fushën e shëndetësisë.
Në lidhje me pagesat dhe detyrimet kontraktuale karshi bizneseve, aktualisht ligji e ka deri në një vit, kur mund të shtyhen detyrimet për pagesat, ndërkohë që me projektligjin që propozohet sot, ky detyrim kalon në 60 ditë.
Ndryshimi ligjor i propozuar nuk ka pasoja në buxhetin e shtetit, ndërsa është miratuar me 12 vota pro në Komisionin e Integrimit.










