Shpallet fituesi i kontratës për përmirësimin e plazhit të Spillesë dhe unazës së Lushnjes

Ndërhyrja në zonën bregdetare të Spillesë për të përmirësuar rrugën si dhe punimet në unazën e Lushnjës pritet të kushtojë të paktën 5.8 milionë dollarë.

Vlera në fjalë është ajo e kontratës përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do t’i paguajë kompanisë së shpallur fituese në garën e njoftuar më herët që është “GPG Company” sh.p.k.. Në procedurë morën pjesë të paktën shtatë kompani.

Ky projekt është pjesë e programit që lidhet me rrugët lokale dhe rajonale dhe që mbështetet me një kredi nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Periudha e ndërtimit është parashikuar 9 muaj dhe përfshin dy ndarje.

E para është rehabilitimi i rrugës Spille Guri i Lëmuar deri tek Hauzi i Vilëbashtovës.

Sipas FSHZH qëllimi i projektit është rikonstruksioni i segmentit të rrugës paralel me vijën bregdetare pas pishave në Spille, ndërtimi i dy segmenteve të saj deri në plazhin “Guri i Lëmuar” në veri dhe në jug deri tek “Hauzi i Vilebashtovës”.

“Segmenti i këtij rikonstruksioni janë portat hyrëse të plazhit të Spillesë, i cili për nga shtresat është në gjendje të mirë, por duhet ndërhyrë në sistemimin e trotuareve, kubeve, ndriçimit dhe zgjerimit të tij sipas planit urbanistik, etj.

Rruga hyrëse është gjithashtu një pjesë lidhëse me bregdetin dhe është në gjendje shumë të amortizuar, prej vitesh nuk është bërë asnjë investim në to, pavarësisht shqetësimit të vazhdueshëm të banorëve dhe institucioneve vendore. Në këtë segment rrugor vlen të theksohet mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale” thuhet në argumentimin e procedurës.

Pjesa e dytë e projektit është rehabilitimi i rrugës Vath Koreshi, rruga e Unazës së Lushnjës.

“Qëllimi është përmirësimi i ndjeshëm i qarkullimit të automjeteve, mallrave dhe përdoruesve të rrugës, duke lehtësuar kështu lëvizjen e banorëve në zonën juglindore të qytetit të Lushnjës, nëpërmjet rikonstruksionit të shtresave rrugore, sistemit të ujit të shiut, rrjetit inxhinierik, rrugës. zgjerimi i ndërtimit të trotuareve, sinjalistika rrugore etj.

Rruga do të ketë një gjerësi 19 m, e përbërë nga 4 korsi të asfaltuara me gjerësi 3 m secila. Pothuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës mungojnë plotësisht trotuaret nga të dy anët e rrugës, ndërsa asfalti i rrugës është përgjithësisht në gjendje të mirë, me përjashtim të disa dëmeve të pjesshme të shkaktuara ndër vite nga amortizimi dhe punimet e kryera për nëntokën. shërbimet komunale” nënvizon FSHZH.