Shqipëria ka barazuar sot ndeshjen e dytë në fazën në grupe të Euro 2024 në një ndeshje dramatike me emocione pa fund ndaj Kroacisë.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me shumë kujdes duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarëve dhe duke thumbuar në momentin e duhur me Laçin i cili gjeti golin e avantazhit me një gjuajtje me kokë, rastet për të shënuar edhe të dytin nuk munguan, por kuqezinjtë humbën disa raste para Livakoviç.
Pjesa e dytë nisi nën ritmin e kroatëve, të cilët kërkuan me ngulm barazimin. Por me kalimin e minutave nuk dukej se ishin në gjendje të bënin diçka. Megjithatë, brenda 3 minutash kaotikë, situata u përmbys me golin e Kramariç dhe autogolin e Gjasulës, në momentin kur Silvinjo kishte kthyer ekipin mbrapa për t’u mbrojtur.
Aktivizimi i Hoxhës dhe Dakut në fund i dha përsëri shtysë kuqezinjve të cilët u hodhën përpara dhe ia dolën të shënon golin e barazimit me Gjasulën, duke vulosur një barazim emocionues që lë të hapur përsëri grupin dhe shanset e kualifikimit.
