Shqipëria, destinacion i Reality Show-të Famshëm Holandez

Shqipëria është destinacioni i radhës i reality show-t të famshëm holandez “Kush është i infiltruari”, duke promovuar destinacionet turistike shqiptare ndaj publikut holandez.Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një lajm të bukur për turizmin shqiptar, pasi në 12 seri të këtij reality show bëhet promovimi më fantastik i bukurive magjepsëse të vendit tonë.

“Një lajm i bukur. U zbulua sot në Holandë sekreti i sezonit të ri të reality show-t të famshëm holandez, “Kush është i infiltruari”, i cili këtë vit është xhiruar në vendin tonë me plot 12 seri, që janë promovimi më fantastik i bukurive magjepsëse të vendit tonë dhe do t’i tregojnë publikut holandez një Shqipëri krejt tjetër nga ajo e stereotipit të krijuar në kaq shumë vite për atdheun e shqiptarëve”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “kur trupa e xhirimit erdhi në Shqipëri për hulumtime, mundësia që vendi ynë të zgjidhej ishte fare e vogël, por në fund të qëndrimit të tyre pak ditor këtu, ata ishin 100% të bindur për Shqipërinë si vendi ideal për spektaklin e tyre”.“Shkurt llafi, përgatituni për një dallgë të pazakonshme turistësh holandezë sezonin e ardhshëm”, shtoi Rama.Shqipëria është përzgjedhur si destinacion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022 të emisionit televiziv më të shikuar në Holandë, Wie is de Mol? (Cili është i infiltruari?).

Në emisionin me audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë erdhën në Shqipëri dhe xhiruan lojrat me sfida dhe aventura, në vendet më të bukura dhe mbresëlënëse të Shqipërisë.Që nga data 1 janar 2022, publiku holandez do të ndjekë më kërshëri se si konkurrentët VIP-a holandezë do të skualifikohen një nga një gjatë aventurave në vendet më mahnitëse të Shqipërisë.