“Shqipëria renditet ndër vendet me konsum të lartë të duhanpirjes. Meshkujt janë konsumatorët më të mëdhenj. Bazuar në studime rezulton se 50% e meshkujve në vendin tonë janë duhanpirës. Këtë e tregojnë edhe shifrat në rritje të importit të produkteve të duhanit”.
Sipas të dhënave të siguruara nga Tv Klan vetëm gjatë vitit 2022 janë importuar 3128 ton cigare dhe 117 ton duhan për konsum. Një rritje me 6.5 % krahasuar me një vit më parë, vetëm për cigaret.
E ndërsa importi i duhanit mbetet i lartë, e kundërta ndodh me kultivimin e tij në Shqipëri. Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria është vendi me sipërfaqen më të ulët të kultivimit të duhanit në rajon.
Në vend të parë rezulton Turqia, e ndjekur Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia, Serbia dhe në fund është Shqipëria. Gjatë vitit që lamë pas, Shqipëria ka eksportuar 720 ton duhan. Ndërsa në vend rezultojnë të regjistruara 2197 ferma që merren me kultivimin e tij.