Shqipëria gati të njohë rivalët në ‘Euro 2024’, j cilat janë procedurat e shortit

Shqipëria do të njohë këtë dielë kundërshtarët që do të ketë përballë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, me shortin që do të hidhet në Frankfurt të Gjermanisë dhe do të nisë në ora 12:00.

Në këto eliminatore do të marrin pjesë 53 skuadra, ndërsa Gjermania si organizatore e UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht, dhe për këtë arsye nuk merr pjesë ne short. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, Rusia është e përjashtuar nga shorti dhe nga këto eliminatore.

53 skuadrat që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve më 9 tetor 2022, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23, dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J.

Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars dhe do të përfundojnë në nëntor 2023. Në përfundim të kualifikueseve, dhjetë skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta kualifikohen automatikisht për në fazën finale. Tre skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza play-off që do të zhvillohet në mars 2024.