Shqipëria nis tenderët kundër sulmit kibernetik – Rinovim licencash, aplikacion e simulim sulmi

Sulmi kibernetik ka bërë që institucionet të marrin masa për të testuar nëse janë prekur nga sulmi ose jo. Në tenderat e shpallur sëfundmi duket se ka një nxitim të institucioneve për të rinovuar licencat e skaduara për programet e sigurisë së informacionit. Sulmi kibernetik i pak muajve më parë erdhi pikërisht përmes një serveri të pambrojtur të faqes administrata.al.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave ka shpallur procedurën tenderuese me objekt “Shërbim Auditimi Sigurie Kibernetike dhe Testime Penetrimi”.

Nisur nga situata e fundit e sulmeve kibernetike me origjinë nga jashtë vendit drejt institucionit AKSHI dhe kryesisht portalit e-Albania, si dhe për të mbrojtur institucionin tonë nga një rast i ngjashëm, nevojitet vlerësimi i sigurisë së informacionit në infrastrukturën e rrjetit të brendshëm dhe të jashtëm në fushën e sigurisë kibernetike.

Më konkretisht nevojitet një testim dhe vlerësim i të gjitha vulnerabiliteteve të institucionit tonë në dy variante:

  1. Testim Black Box
  2. Testim White Box

Testimi Black Box do të shërbente për të simuluar sulmet nga jashtë institucionit sikur të ishte një sulm nga një hacker i jashtëm, me pamundësi aksesi nga brenda rrjetit.

Testimi White Box do të kërkonte simulimin nga brenda institucionit duke analizuar konkretisht të gjitha problemet e rrjetit, infrastrukturës, Active Directory, Aplikacioneve dhe Data Base” shkruhet në dokumentet e argumentimit të nevojës së tenderit.

Po ashtu, për të njëjtin qëllim, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë ka shpallur tenderin për krijimin e një aplikacioni për sigurinë online.

Për këtë qëllim është përcaktuar një fond 2 milionë lekë që ka si synim realizimin e projektit edukimin për sigurinë kibernetike, sidomos të të rinjve. Për këtë qëllim veç aplikacioni edukues është parashikuar edhe realizimi i një fushatë në rrjete sociale.

Gjithashtu Posta Shqiptare ka shpallur një tender që ka në fokus sigurinë kibernetike të sistemeve kritike. Posta Shqiptare ka të instaluara dhe administron disa nga infrastrukturat, platformat dhe sistemet teknologjike më të rëndësishme dhe kritike nga pikëpamja e rëndësisë në nivel kombëtar.

“Ky shkëmbim gjithnjë në rritje i të dhënave dhe faktorëve të tjerë përbëjnë një rrezik të madh për infrastrukturën e Postes Shqiptare sh.a në aspektin e Sigurisë Kibernetike. Posta Shqiptare Sh.A përdor sistemet: e-Wallet Posta Shqiptare – Platformë e portofolit elektronik, ETERNA Financiar dhe Postar si dhe hybrid mail” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Po ashtu, edhe Instituti i Statistikave ka shpallur një tender për rinovim licence që ka skaduar që në fund të vitit të kaluar dhe që parashikon shërbimin e  mirëmbajtjes së softëareve të teknologjisë së informacionit.

Nisma për të menaxhuar përmes AKSHI-t shërbimet publike elektronike ka bërë që sulmi kibernetik i hakerëve iranianë të ekspozojë jo vetëm institucionin qendror por edhe institucionet e tjera të lidhura me sistemet e teknologjisë së informacionit.

Për sulmin kibernetik të pak muajve më parë janë bërë hetime të posaçme ku janë gjetur shkaktarët por ende nuk është sqaruar shkalla e ndërhyrjes.