Shqiptarët rriten kursimet në pandemi

Depozitat kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2020, që është përshpejtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Stoku i kursimeve në vend arriti në 1.11 trilionë lekë, ose gati 9 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90. Në raport me vitin e mëparshëm, depozitat u zgjeruan me 8.2%. Kjo është rritja më e lartë që prej vitit 2011. Kjo tendencë e rritjes së depozitave është vërejtur në gjithë Europën, ku pasiguria për të ardhmen dhe pamundësia për të shpenzuar pas kufizimit të udhëtimeve ka nxitur konsumatorët që të kursejnë më shumë. Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemicë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 570 milionë euro.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rritja e depozitave u udhëhoq nga valuta, ndërsa kursimet në lekë ishin të vakëta (si rrjedhojë e rënies së normave të interesit nga viti 2012), në periudhën e pandemisë kursimet janë orientuar nga leku. Depozitat në monedhën vendase u rritën me 11% në 2020-n, duke ndikuar në rreth 60% të rritjes. Ky është një tregues indirekt se depozitat janë nxitur më së shumti nga kursimet e brendshme. Në vlerë absolute, shtimi i depozitave në lekë (me rreth 51 miliardë lekë) shënoi nivelin më të lartë rekord që prej vitit 2007, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Në monedhën vendase janë rritur si kursimet e individëve, ashtu dhe ato të korporatave financiare, por mbi 90% e parave janë vendosur në llogari rrjedhëse, kryesisht për shkak të interesave të ulëta që ofrohen për kursimet afatgjata. Por edhe depozitat në valutë kishin një ecuri të mirë, duke u rritur me 6% në 2020 me bazë vjetore. Rritja e tyre ka ndjekur tendenca sezonale, në gusht dhe në dhjetor, në linjë me prurjet e emigrantëve. Edhe për valutën, rritja ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të vendosjes së parave në llogaritë rrjedhëse, si nga bizneset ashtu dhe individët. Rritja më e shpejtë e depozitave në lekë, ka bërë që kursimet në monedhën vendase në fund të 2020 të zënë 46.5% të totalit, nga 45.5% që ishte kjo peshë në fund të 2019.

GELDTrade.al