Shqiptarët shpenzojnë rreth 1.2 miliardë euro në vit për energji e karburante; Si mund të lehtësohet fatura e krizës

Teksa e gjithë bota ka hyrë në një krizë energjetike, kryeministri Edi Rama paralajmëroi për një situatë të ngjashme në Shqipëri, që mund të shoqërohet me shtrenjtim të energjisë elektrike, ndërsa ai i karburanteve ka kohë që ka filluar.

Një shtrenjtim i energjisë do të sjellë kosto për familjarët, sidomos ata me të ardhura të ulëta, ndërsa dhe karburantet rrisin shpenzimet për përdoruesit e automjeteve dhe biletat e transportit publik urban për ata që nuk përdorin automjetet. Këtyre u shtohen dhe çmimet e shtrenjtuara të ushqimeve, duke filluar që nga produktet bazë, si mielli, buka, vaji, orizi etj.

Sipas INSTAT, që i referohet vitit 2019 (të dhënat e 2020 pritet të publikohen të hënën), një familje shpenzon 41.3% të totalit për ushqime (më e larta në Europë), rreth 10% për Shpenzime për “banesën, ujë, energji elektrike, qera të paguar” dhe gati  6% për transport, pra në total rreth 57% të totalit shkojnë për mbulimin e nevojave të domosdoshme.

Për familjet e varfra kosto e një rritjeje tjetër të ushqimeve dhe shërbimeve utilitare është e papërballueshme, pasi sipas INSTAT klasa I (më e varfra) shpenzon gati 54% për ushqime, 17.5% për energji, ujë e qira dhe 2.2% për transport, me një total prej gati 74% të shpenzimeve totale, që shkon për mbulimin e nevojave bazike.

Por, sa shpenzohet në vit vetëm për energji elektrike dhe karburante. Sipas përllogaritjeve të Monitor, kjo shumë është rreth 1.2 miliardë euro, e ndarë si më poshtë:

Sipas bilancit të “Furnizuesit të Shërbimit Universal”, pjesë e OSHEE Group, që ka objekt kryesor të aktivitetit furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar, të ardhurat e kompanisë, (që arkëton faturat e energjisë së klientëve) janë rreth 58 miliardë lekë për vitin 2020, ose 470 milionë euro.

Prej disa vitesh çmimi i energjisë për familjarët ka mbetur i pandryshuar në 9.5 lekë për kilovat orë, pa TVSH. Ndërsa për bizneset tregu është liberalizuar dhe gradualisht ata janë të detyruar ta sigurojnë vetë energjinë në tregun e lirë, me çmime që luhaten dhe që kanë arritur edhe në 17-20 lekë për kilovat orë, teksa sipërmarrjet janë të pambrojtura nga luhatjet e vazhdueshme.

Sipas Eurostat dhe Komunitetit të Energjisë, Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon për energjinë e familjarëve dhe bizneseve.

Shqipëria ka një varësi të lartë nga burimet hidrike dhe reshjet, duke e detyruar atë të importojë energji në momentet që prodhimi vendas nuk arrin të garantojë gjithë konsumin e brendshëm.

Të premten, Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group mbylli ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin tetor dhe bëhet fjalë për furnzimin gjate periudhës 4-10 tetor. Çmimi mesatar i një megavati të blerë rezulton 233 euro, çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji nga tregu i lirë teksa një vit më parë e njëjta sasi energjie u sigurua për afërsisht 50 euro.

Në vitin 2020, sipas INSTAT importet e karburanteve ishin rreth 533 mijë ton, niveli rekord i pas viteve ’90. Në tregun e pakicës nafta ka një vlerë totale rreth 710 milionë euro (me çmimin mesatar 160-165 lekë që zbriti vitin e kaluar).

Gjatë këtij viti çmimi i naftës është rritur 5 herë, duke arritur në rreth 176-178 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 28 lekë për litër ose rreth 20%, duke iu afruar niveleve të parakrizës.