Shtohen parqet fotovoltaik në Shqipëri

Gjysma e parë e vitit 2023 ka shënuar zhvillime në drejtim të prodhimit të energjisë nga dielli, duke qenë se disa centrale të rinj hynë në prodhim. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë kapaciteti total i instaluar arriti në 40 MW, nga 22 MW që ishte në fund të vitit 2022. Në total numri i impianteve që kanë gjeneruar energji nga dielli, në fund të muajit qershor të këtij viti arriti në 19, nga 11 që ishte në fund të vitit që shkoi.

Numri i impanteve që prodhojnë energji nga dielli nuk ndryshonte prej vitesh, pavarësisht interesit të lartë të investitorëve, të shprehur gjatë viteve të fundit. Gjithsesi, të dhënat për prodhimin e energjisë nga dielli mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore, teksa për 6 – mujorin e parë të këtij viti sasia e prodhuar nga impinatet fotovoltaike arriti në 0.77% të totalit. Në total, nga këto impiante u sigurua rreth 39 mijë mWh energji.

Ndërkaq, ndonëse kjo sasi është tejet e ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrocentralet, ajo merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi, vendi ynë është i varur nga energjia e prodhuar nga uji, çka në periudha thatësirash pasohet me fatura tejet të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore.