Shtrenjtimi i energjisë fillon të japë pasoja te bizneset, paralajmërohen falimente zinxhir

Shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike ka rritur së tepërmi vështirësitë për fabrikat e përpunimit të mishit dhe të qumështit.

Kompanitë pohojnë të shqetësuara se furnizimi me çmim 3-4 herë më të lartë se më parë ka shtuar kostot e prodhimit.

Për të përballuar rritjen e lartë të tarifës të energjisë bizneset kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë me zbatimin e masave lehtësuese. Javën e ardhshme pritet që shoqatat e bizneseve t’i prezantojnë qeverisë masa konkrete zbutëse ndaj sipërmarrjes të prekur nga çmimi i energjisë.

ndustria po vuan edhe rritjen e çmimeve të lëndës ndihmëse për prodhimin e sallamit dhe produkteve të tjera të mishit, si dhe rritjen e çmimeve të karburanteve.

Shtrenjtimi i energjisë është shqetësues edhe për fabrikat e përpunimit të qumështit që po vuajnë shtimin e kostove prodhuese edhe nga heqja e skemës të TVSh-së të rimbursueshme nga 1 janari 2022.

Në mbrojte të bizneseve nga rritja e çmimeve të energjisë ERE miratoi çmime preferenciale për 7,740 biznese të lidhur me tensionin e mesëm 20,10 dhe 6 kv që për herë të para dolën në tregun e lirë nga 1 janari 2022. Këto biznese do të mbrohen deri në qershor nga rritja e çmimeve, pas këtij afati situata do të rivlerësohet. Ndërkohë bizneset e tjera që kanë dalë më herët në tregun e lirë po vazhdojnë të furnizohen me çmimet reale që rezultojnë nga ankandet të cilat janë dukshëm më të larta. Muaji me tarifat më të shtrenjta deri më tani ka rezultuar nëntori 2021 me një tarifë 38.7 lekë/kwh ndërkohë që në dhjetor kishte një ulje të lehtë të këtij çmimi duke u stabilizuar në 31.7 lekë.