Buxheti për transportin detar parashikohet të pësojë rritje të ndjeshme në 3 vitet e ardhshme, sipas programit buxhetor afatmesëm të publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas dokumentit, në buxhetit fillestar 2023 ky transport kishte të akorduar një buxhet prej 186 mln lekë, ndërkohë që për vitin 2024 vlera do të ketë një kapërcim të madh, duke arritur në 11.18 mld lekë. Rritja do të jetë edhe më e madhe në vitet 2025 dhe 2026, ku sipas programit buxhetor afatmesësm janë parashikuar respektivisht 14.18 mld dhe 16.18 mld lekë.
Kjo rritje e buxhetit përkon me prioritetet e vendosura nga qeveria për periudhën 2024-2026, ku tek investimet publike projekti i ri “Ndërtimi i Portit të ri tregtar Porto Romano Durrës”, është një nga 3 projektet e reja kryesore të përfshira në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare.
Projekti i Portit të Integruar në Porto Romano parashikon rritje të kapaciteteve vjetore të përpunimit të kontejnerëve dhe mallrave, ndërkohë që në drejtim të pasagjerëve nuk parashikohen ndryshime domethënëse.
Sipas projektit, realizimi i infrastrukturës së re portuale parashikon një kapacitet vjetor përpunues prej më shumë se 2 mln kontejnerësh, nga 180 mijë që është aktualisht. Po ashtu, kapaciteti vjetor i përpunimit të mallrave parashikohet të jetë mbi 50 mln ton në vit apo disa fish më shumë sesa përpunohet sot në terminalet e mallrave gjenerale dhe atyre rifuxho, në 2 terminalet ekzistues.
Sipas projektit të ri, zona e interesit në brendësi të tokës për Portin e Integruar të Durrësit në Porto Romano ka një sipërfaqe prej 300 ha, ndërkohë që sipas Autoritetit Portual Durrës, ndërtimi i portit të ri detar do të jetë në gjendje të përballojë kërkesat në rritje për të gjithë vendet e rajonit.