Si të gjeni agjencinë ideale të marketingut dixhital për ju?

Shumë biznese kanë filluar të përfshijnë marketingun dixhital në strategjitë e tyre të rritjes. Marketingu dixhital përfshin një numër kategorish si marketing në rrjete sociale, krijim kontenti, reklama të paguara etj. Një agjenci ekspertësh do ju ndihmojë në krijimin dhe implementimin e strategjive për prezencën e markës suaj online.

Ndoshta po mendoni “mund ta bëj vetë këtë”. Po, nëse keni eksperiencë në disiplina të ngjashme. Edhe atëherë, punët mblidhen bashkë dhe muaj kalojnë derisa kuptoni që rrjetet tuaja sociale kanë zënë merimanga dhe as nuk e keni çuar ndër mend strategjinë e marketingut. Oops.

Ndonjëherë nevoja lind për një projekt të vetëm dhe bashkëpunimi zgjat disa javë, por bashkëpunimi me një agjenci mesatarisht zgjat nga 6 muaj deri në disa vite, në varësi të nevojave të biznesit.

Ndryshime të panumërta, update, trende që nuk mund të na shkonte mendja kurrë, një vezë bëhet fotoja më e pëlqyer në Instagram… E vetmja gjë konstante rreth marketingut dixhital është ndryshimi. Si të kërkoni për një agjenci marketingu dixhitale që është e përgatitur për këtë? Ku duhet të filloni? LinkedIn, të pyesni miqtë, të postoni në faqen tuaj?

Si të gjeni agjencinë e duhur?

Për të kuptuar nëse do përshtateni si tenxherja me kapakun, ka disa pyetje që duhet ti bëni personit përgjegjës të agjencisë:

Cili është misioni juaj dhe si punoni si skuadër?

Kush do jetë në krye të projektit? Harmonia mes skuadrave përbën 31% të vendimit final në punësimin e një. Duhet të siguroheni që personat e punësuar përshtaten me frymën e punës në kompaninë tuaj. Cilat janë kompetencat dhe specializimet e tyre? A ka frymë bashkëpunimi apo është një ambjent pune toksik?

Mos u mjaftoni me përgjigjet e tyre, por bëhuni “detektivë” për një orë. Kërkoni për një faqe Rreth nesh (About) të kuruar, një datë themelimi, misionin e tyre, rrjetet e tyre sociale, një informacion të përgjithshëm për të punësuarit aty etj. Sa më shumë informacion, aq më të sigurtë do të jeni te zgjedhja juaj.

Cilat KPI masni për të vlerësuar suksesin?

Shprehja thotë “fjalët i merr era”. KPI jo. Si do vlerësohen dhe sa shpesh do raportohen të dhënat? E bukura e marketingut dixhital është se gjithçka është e matshme.

Shtim i të ardhurave direkte nga kanalet e paguara, kthimi i shpenzimit për reklama (return on advertising spend ROAS) në Facebook në tremujorin e parë, rritje e numrit të përdoruesve të rinj, numri i shkarkimeve të aplikacionit- këto janë të gjitha të dhëna të matshme që mund të merrni dhe agjencia e duhur do t’ju ofrojë.

Si do përgatiteni për një analizë tregu të industrisë sonë?

Në industrinë tuaj ju jeni ekspertë, por a është në botën dixhitale agjencia që do ju përfaqësojë? E vërtetë, nëse ju jeni ekspertë imobiliarë, nuk është nevoja që dhe ata të marrin vesh nga pronat. Por është e rëndësishme të jenë të hapur për procesin e informimit rreth industrisë suaj. Si do mësojnë ata çfarë duan klientët, a janë ata të përditësuar me tregun, në ç’mënyrë do mësojnë rreth konkurrencës? Nuk është nevoja që ato të kenë punuar me kompani ekzaktësisht si e juaja, por idealisht do kenë zgjidhur probleme të ngjashme me ato që ju dëshironi të zgjidhni.

Me çfarë klientësh keni punuar?

Grafiku më sipër nga HubSpot tregon disa nga sfidat kryesore të marketingut të kompanive. Kompania e duhur nuk e ka problem të japë referenca apo raste suksesi. Si i kanë zgjidhur ato më parë sfida të tilla? Është më mirë të ketë mburrje me doza të lehta-të gjithë jemi krenarë kur punojmë fort dhe arrijmë rezultate- sesa të liheni në errësirë totale përsa i përket të shkuarës së tyre me projekte dhe firma të tjera.

Si i përballoni rastet kur diçka shkon keq?

Fleksibiliteti është shumë i rëndësishëm në një botë si kjo e marketingut dixhital. Një postim i gabuar, buxhete apo përgjigje të pamenduara mund t’ju çojnë disa hapa prapa. Këto janë gjëra që ndodhin, por mënyra si menaxhohen është më e rëndësishme se gabimet vetë. Pyesni personin përgjegjës të agjencisë për një rast sfidues ku ata duhet të vepronin shpejt për të shmangur një “katastrofë marketingu”. Komunikimi i mirë dhe fleksibiliteti janë dy përgjigje “të sakta”. Shembuj komunikimi të mirë dhe të qëndruarit fleksibël janë tregues se kjo mund të jetë agjencia që do kthejë ëndrrat tuaja të marketingut në realitet.

Zgjidhni vlerën më të mirë, jo çmimin më të mirë. Mendoni në planin afatgjatë. Edhe nëse projekti nuk është afatgjatë, kjo agjenci do ketë për pak kohë influencë të konsiderueshme në imazhin e kompanisë suaj në botën virtuale.

A mund të punoni me ta? A mund ti besoni? A do festonit një arritje duke pirë disa gota verë me këtë skuadër? Janë një nga marrëdhëniet më të rëndësishme që do ndërtoni për avancimin e biznesit tuaj. Agjencia e duhur do ketë individë që punojnë fort, janë kreativë dhe kanë dëshirë të krijojnë fushata dhe strategji që sjellin sukses.