Si të planifikosh buxhetin e marketingut?

Me fillimin e gjysmës së dytë të vitit, shumë agjenci marketingu dhe biznese po konsiderojnë ndryshimet që duhen bërë në planet e tyre. Ke hapur një biznes të ri? Po mendon të zgjerosh biznesin? Do lançosh një produkt? Do të përdorësh një kanal marketingu ende të paeksploruar në industrinë tënde? Çfarëdo qoftë, ka diçka pa të cilën nuk mund të kesh sukses: një plan solid marketingu. Më poshtë janë katër hapa për të planifikuar buxhetin:

1. Vendos objektiva

Përpara se të vendosësh rreth buxhetit, duhet të vendosësh objektivat për gjysmën e vitit në vijim.

  • Cilët janë treguesit e performancës për kompaninë tënde?
  • Sa konsumatorë do të arrish?
  • Çfarë retention rate (normë mbajtje) po synon?

Si personi përgjegjës për marketingun, këto janë pyetjet të cilave duhet ti japësh përgjigje. Objektivat e marketingut janë element kyç i objektivave të përgjithshme të kompanisë dhe rritjes së saj. Nuk ka arsye të investosh buxhetin e marketingut në fusha që nuk e bëjnë kompaninë të arrijë qëllimet e vendosura.

Mënyra më e mirë për të përputhur planin e marketingut me vizonin e kompanisë? Të kesh komunikim konstant me departamentet e tjera dhe me menaxhimin!

Në këtë mënyrë, të gjithë do kenë një pamje të ecurisë, çka do e bëjë më të thjeshtë zhvillimin e një plani marketingu që është realisht pjesë integrale e kompanisë.

2. Përcakto buxhetin, por tregohu fleksibël

Sapo buxheti total të aprovohet, mund ta ndash në muaj. Nëse e di sesi buxheti po funksionon muaj pas muaji, do mundesh të qëndrosh fleksibël për ta përshtatur kurdo të jetë e nevojshme. Si mund të përcaktosh një buxhet vjetor dhe të qëndrosh fleksibël në bazë mujore? Duke treguar vëmendje konstante ndaj aktivitetit të marketingut.

Për shembull, nëse po sheh rezultate të shkëlqyera nga një fushatë e caktuar, mos e ndalo atë! Të ndërpresësh një fushatë të suksesshme vetëm sepse ke përcaktuar një buxhet gjashtë muaj më parë, nuk është ide e mirë. Mund ta lësh fushatën të vazhdojë derisa të arrish maksimumin e rezultateve, më pas të modifikosh buxhetin bazuar te shpenzimet e paplanifikuara. P.S. Në internet ka shumë shembuj (template) të gatshëm për buxhetet e marketingut në varësi të industrive, të cilët mund ti përdorësh.

3. Ki parasysh ngjarjet speciale

Përcaktimi i një plani marketingu nuk ka të bëjë vetëm me çfarë ndodh brenda kompanisë. Ki parasysh një gamë të gjerë aktivitetesh sezonale, festive dhe të industrisë. Moti, pushimet kombëtare, festat fetare etj. kanë ndikim të madh në kohën dhe mënyrën si duhet të investoni paratë e marketingut. Për shembull, nuk duhen financuar mesazhe në kohë kur audienca është jashtë vendit. Gjithashtu, disa rajone kanë ditë të ndryshme pushimesh dhe festash. Sigurohu të përshtatësh buxhetin me kalendarin e pushimeve të vendit ku operon.

4. Testo dhe mat

Edhe nëse planifikon deri në detajet më të vogla, mund të shfaqen gjithmonë elemente surprizë. Një reklamë e caktuar mund të bëhet papritur virale dhe të sjellë rezultate të cilat as nuk i kishe ëndërruar. Gjithsesi, për të evituar surprizat e pakëndshme, testo performancën në çdo kanal: vlerëso pritshmëritë dhe kontributin real në biznes. Disa faktorë që duhen matur për një pamje sa më të qartë të performancës janë CPA (Cost Per Acquisition, Kostoja e përvetësimit) dhe LTV (Lifetime Value, Kostoja e klientit).

Është më mirë ti vlerësosh këto parametra në fasha të ndryshme kohore, pasi në disa raste mund të duhet një kohë relativisht e gjatë për të kuptuar vlerën e tyre të vërtetë.
Pra…

  • Përputh planin tënd të marketingut me qëllimet strategjike dhe vizionin për rritje të kompanisë
  • Puno brenda buxhetit vjetor, por tregohu fleksibël për t’u përshtatur në bazë mujore/dyjavore
  • Merr parasysh pushimet, si dhe festat e industrisë
  • Vlerëso dhe adapto buxhetin sipas rezultateve

Buxheti i marketingut: Një lojë kontrastesh

Fokusohu te qëllimet e tua! Vendos një buxhet disi strikt vjetor, por qëndro fleksibël. Ekzamino rezultatet afatshkurtra teksa vlerëson matësit afatgjatë. Nëse ndjen që po tërhiqesh nga forca të kundërta, mos u mërzit- kjo është ndjesi e natyrshme kur planifikon një buxhet marketingu. Ndiq katër hapat e mësipërm për të avancuar drejt objektivave.

GELDTrade.al