Sindikata e Fermerëve, kundër paketës fiskale; Të mbjellat kanë rënë me 30%, kërkesat për të nxitur prodhimin vendas

Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë të Fruta-Perimeve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe Sindikata e Fermerëve, në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, kundërshtojnë propozimet e paketës fiskale 2022.

Shoqatat pohojnë se këto ndryshime vijnë në një kohë kur mbjelljet e fermerëve janë 30% më të ulëta se vjet, për shkak të mospërballimit të kostove. Sipas tyre miratimi i ndryshimeve fiskale do të rëndonte situatën në prodhimet bujqësore.

Ndër kërkesat kryesore të shoqatave prodhuese dhe Sindikatës të Fermerëve janë subvencionim direkt për fermerët që kultivojnë perime të freskëta e ngjashme me skemën e 2019 të prodhuesve të qumështit. Shtyrjen në kohë të aplikimit të TVSH-së në shkallën 10% si kundër është propozuar në paketën fiskale për vitin 2022 për inputet .

Barazim në paketën fiskale 2022 të shkallës së TVSH në shitje me atë në blerje për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtoralë, sepse heqja e TVSH-së të kreditueshme në blerje dhe 20% TVSH në shitje do të thellojë informalitetin.

Prej disa ditësh fermerët e Lushnjës po protestojnë për ndryshimet fiskale të propozuara, pasi sipas tyre do të rrisin kostot e prodhimit.