Shqipëria është renditur si vendi me rimëkëmbjen më të shpejtë të turizmit pas pandemisë sipas një raporti të “Skift Research” të publikuar këtë vit. Ky raport i titulluar “Gjendja e Udhëtimeve, 2023”, i cili ofron kërkime dhe analiza për industrinë e udhëtimeve në mbarë botën duke bashkëpunuar me kompanitë më të mëdha të udhëtimit, veçon 14-të vende si destinacionet me rritjen më të shpejtë dhe më të madhe të turizmit.
Nga të dhënat shihet se mes këtyre vendeve pozicionohet edhe Shqipëria si ndër destinacionet kryesore me rrijten më të madhe të numrit të turistëve nga viti 2019-të në vitin 2022. Raporti tregon se numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë në vitin 2022 është rritur me 33%, krahasuar me vitin 2019-të.
Mes këtyre 14-të vendeve gjejmë të renditur një tjetër vend të Ballkanit Perëndimor. Serbia po ashtu është ndër vendet me performancë të mirë në turizëm, ku rritja e vizitorëve të huaj e ka tejkaluar periudhën para pandemisë me 14% në vitin 2022. Referuar të dhënave Shqipëria ka lënë pas Serbinë me 19 pikë përqindje.
Austria, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Republika Domenikane janë tre vendet me rritjen më të lartë të vizitorëve të huaj, me 355%, 109% dhe 71% respektivisht, krahasuar me vitin 2019-të. Në renditje ndjekin Andora, Holanda, Katari, Omani, Shqipëria, Kolumbia, Serbia, Hondurasi, El Salvadori, Kepi i Gjelbërt dhe Lihtenshtejni.
Viti 2022, po ashtu edhe gjysma e parë e vitit 2023, kanë qenë periudha rekord për turizmin në vendin tonë sipas të dhënave zyrtare nga “Instituti i Statistikave”. Kanë qenë 7.5 milion shtetas të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë përgjatë vitit 2022, duke shënuar një rritje vjetore prej 35.5%.