Prokuroria e Posaçme ka lëshuar dhjetë urdhër-arreste për ish-zyrtarët e Bashkisë së Durrësit. Mes tyre, mësohet se është dhe ish-kryebashkiaku socialiste Vangjush Dako.
Bashkëpunëtorët në vite të Dakos dhe ai vetë, akuzohen për dy vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Nga natyra e këtyre veprave penale, ato kanë lidhje me periudhën kur ata kanë qenë në poste të caktuara në Bashkinë e Durrësit.
Ish-kryebashkiaku i qytetit bregdetar është akuzuar shpesh nga opozita për afera të rënda në Durrës. Megjithatë, pritet që SPAK të dalë vetë me deklaratë zyrtare për urdhër-arrestet dhe akuzat.
Ditët e fundit ka pasur raportime të pakonfirmuara, se politikani 57 vjeçar është shoqëruar nga një grup hetuesisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit për t’u marrë në pyetje në ambientet e SPAK.
Këto raporte mbetën të pakonfirmuara deri më sot, ku mësohet se urdhër-arrestet janë prerë zyrtarisht për dhjetë persona dhe Gjykata e Posaçme ka kërkuar ekzekutimin e tyre nga Policia e Shtetit. Vangjush Dako ka qenë edhe më parë në SPAK, në mars të këtij viti.
Ai e ka drejtuar Bashkinë e Durrësit për 13 vite, nga viti 2006 deri në 2019. Herën e parë kryebashkiaku socialist i qytetit bregdetar u mor në pyetje për disa orë, lidhur me disa objekte pa leje të cilat pësuan dëmtime të rënda nga tërmeti i rënë në 26 nëntor 2019-të.