Standardet e kredisë për biznesin u lehtësuan në tremujorin e fundit 2021

Bankat raportuan lehtësim të standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e katërt të vitit 2021.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues që kryhet nga Banka e Shqipërisë, standarde të lehtësuara kreditimi u raportuan si për biznesin vogël dhe të mesëm, ashtu edhe për biznesin e madh. Standardet u lehtësuan sidomos në kreditë e lëvruara me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet, ndërkohë që në ato për financimin e investimeve standardet mbetën të pandryshuara.

Sipas bankave, kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve u lehtësuan në tremujorin e fundit të vitit 2021, për herë të parë që prej periudhës para pandemisë. Lehtësimi i tyre u arrit nga marzhet më të ulëta të aplikuara mbi kreditë normale, si edhe nëpërmjet reduktimit të komisioneve dhe kostove të tjera jo-interes. Në gjykimin e bankave, lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset u arrit nga kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilancet e tyre.

Paralelisht, edhe kërkesa për kredi e bizneseve vijoi të jetë e lartë edhe në tremujorin e katërt. Kërkesa për kredi u raportua e lartë, si në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë, ashtu edhe në terma të madhësisë së biznesit. Balanca e kërkesës për kredi në këtë tremujor shënoi vlerën më të lartë pozitive, nxitur kryesisht nga kërkesa për kredi nga segmenti i biznesit të madh, si edhe nga kredia për qëllime investimi, të cilat prej tre tremujorësh në radhë kanë regjistruar balanca pozitive në vlera historikisht të larta. Shtimi i kërkesës për kredi nga bizneset në tremujorin e fundit të vitit, sipas gjykimit të bankave, u ndikua nga nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, financimin e investimeve, ristrukturimin e kompanive, si dhe rifinancimin e borxheve ekzistuese. Paralelisht, përmirësimi i kushteve të financimit nxitur nga treguesit e besimit të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit, ndikuan në shtimin e kërkesës për kredi nga bizneset në këtë tremujor. Faktorët e vetëm që ndikuan në kahun rënës të kërkesës për kredi ishin përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe kreditë nga bankat e tjera.

Edhe pritshmëritë e bankave për tremujorin e parë të këtij viti janë optimiste, si për sa i takon ofertës, ashtu edhe kërkesës për kredi. Në tremujorin e parë të vitit 2022, standardet e kreditimit për bizneset priten të lehtësohen më tej. Bankat presin të aplikojnë standarde më të lehtësuara kreditimi mbi kreditë e akorduara për qëllime investimi, si dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Po ashtu, standardet e kreditimit priten të lehtësohen më tej në segmentin e biznesit të madh dhe të mbahen të pandryshuara për biznesin e vogël dhe të mesëm.

Bankat gjykojnë se në tremujorin e parë të vitit 2022, kërkesa për kredi e bizneseve do të jetë sërish e lartë, si nga bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha. Edhe në prizmin e qëllimit të përdorimit kërkesa për kredi pritet të jetë e lartë, si për financimin e investimeve, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.