Sulmet ndaj bankave dhe bankomatëve gjatë protestave, BSH qetëson qytetarët: Kursimet janë të sigurta, pagesat nuk janë ndërprerë


Dëmtimet e degëve bankare dhe bankomatëve gjatë protestave kanë sjellë kufizime të përkohshme të disa shërbimeve, por kursimet e qytetarëve nuk rrezikohen. Banka e Shqipërisë ka dalë me një deklaratë këtë të hënë, më 19 tetor, duke garantuar se depozitat janë të mbrojtura dhe se sistemi i pagesave ka vijuar të funksionojë pa ndërprerje.

Institucioni thekson se dëmet materiale të shkaktuara në disa banka nuk cenojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe u kërkon qytetarëve të mos shqetësohen për paratë e tyre.

“Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve”, thuhet në deklaratë.

Pavarësisht incidenteve, shërbimi i pagesave ka vijuar normalisht. Kufizimet në degë të caktuara, sipas Bankës së Shqipërisë, lidhen me nevojën për të garantuar sigurinë e klientëve dhe punonjësve.

“Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative të shërbimit bankar”, sqaron institucioni.

Banka e Shqipërisë kujton se pas çdo shërbimi bankar janë qytetarët që marrin pagat e pensionet, familjet që ruajnë kursimet dhe bizneset që duhet të vijojnë aktivitetin.

“Sistemi bankar është një shtyllë me rëndësi thelbësore për ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit dhe vijojnë aktivitetin e tyre, si dhe sipërmarrje që investojnë dhe krijojnë vende pune. Funksionimi normal i bankave është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen” thekson BSH.

Për këtë arsye, u bën thirrje protestuesve të mos dëmtojnë institucionet financiare.

“Në detyrim ndaj këtij misioni, Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre. Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve”, theksohet në deklaratë.



Burimi Monitor.al