Syri i Kaltër në Theth, thesar i fshehur mes malesh

Syri i Kaltër në afërsi të Thethit është një nga bukuritë e rralla të natyrës së veriut të Shqipërisë dhe një nga vendet më të vizituara nga vizitorët  vendas dhe turistët e huaj.

Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë të pafundme, por Syri i Kaltër i Thethit, i cili rrjedh nga Lumi i Zi është një mrekulli natyrore.

Burimi vjen nga lartësitë e maleve mes Lumit të Zi, i cili zhdërvjelltësohet mes bjeshkëve duke u bë gjithmonë e më i kthjellë sa në Syrin e Kaltër mbledh si me magji të gjithë bukuritë e bjeshkës duke e bërë këtë një pasqyrë të shembullit të natyrës së rrallë që gjendet pikërisht te kryevepra e natyrës së kësaj zone.

Të dhënat për Syrin e Kaltër vijnë nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shkodër, e cila informon se Syri i Kaltër është Monument Natyre, Kategoria III sipas IUCN.

Syri i Kaltër, i quajtur ndryshe Pusi i Zi (nga banorët njihet edhe si Pusi i Kolë Gjonit), është një pus rreth 3-5 m i thellë dhe me një sipërfaqe prej 100 m².

Syri i Kaltër rrjedh nga Lumi i Zi i cili zbret nga Kaprrea e sipërme. I pozicionuar rreth 7 km larg nga qendra e fshatit Theth, është ndër destinacionet më të vizituara në park, ku e gjatë gjithë kësaj gjatësi rruge të ofrohet një peizazh mbresëlënës e më pas ju shfaqet para Syri i Kaltër si një thesar i fshehur mes malesh!

Lumi i Zi buron në Majën e Zezë dhe ushqehet kryesisht nga shkrirja e borës dhe në Ndërlysa bashkohet me Lumin e Shalës i cili në një gjatësi prej 37 km përshkon Luginën e Shalës nga Thethi, Ndërlysa, Musha, Breg-Lumi tek Porta e Shalës, Lotaj, nëpër Luginën e Shoshit derisa në fund derdhet në liqenin e Komanit.