Qeveria ka vendosur ngritjen e një Task-Force të posaçme e cila do të përcaktojë mënyrën e trajtimit të pasurive të paluajtshme “tokë bujqësore”, në përdorim të individëve, por që nuk kanë titull pronësie.
Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, Task- Forca që do të krijohet do të ketë si përgjegjësi identifikimin e problematikave në lidhje me zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi për tokat Bujqësore në përdorim, pa titull pronësie; hartimin e planit të veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës; koordinimin ndërmjet institucioneve qendrore, vendore, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përdoruesve faktikë të tokës bujqësore, në funksion të zgjidhjes përfundimtare të problematikave. Task- Forca krijohet për njësi administrative territoriale të veçanta dhe përbërja e saj miratohet me urdhër të Kryeministrit.
Task-Forca drejtohet nga kryetari dhe ka në përbërje të saj deri në një përfaqësues Agjencia Shtetërore e Kadastrës; Minstria e Bujqësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Ministria e Drejtësisë; Agjencia e Trajtimit të Pronës; Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.
Objekt i veprimtarisë së Task-Forcës janë pasuritë e paluajtshme që plotësojnë këto kushte: janë braktisur nga subjekti pretendues ligjor dhe nuk janë regjistruar pranë ASHK-së; janë toka bujqësore (sipas zërave përkatës të saj); nuk janë prona private të të tretëve; nuk janë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave; nuk janë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues; nuk janë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike; nuk janë prona shtetërore të destinuara për qëllime turistike; nuk janë prona publike të patjetërsueshme; nuk janë të zëna nga ndërtimet, objekt trajtimi, të nenit 34, të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë.
Një nga detyrat kryesore të Task-Forcës, është që të analizojë nëse rrethanat e këtyre rasteve, në tërësi, përmbajnë ose jo premisat për fitimin e pronësisë, sipas mënyrave origjinale të parashikuara në Kodin Civil apo mënyrave të tjera të posaçme, të parashikuara në ligje të veçanta si dhe të të hartojë planin e veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës në lidhje me tokat bujqësore pa titull pronësie.