Tatimet paralajmërojnë kontrolle për tregtinë online dhe shitjen e aksioneve


Administrata Tatimore po përgatit plane konkrete për monitorimin e tregtisë online gjatë këtij viti, krahas sektorëve që kanë qenë tradicionalisht në fokus, si ndërtimi, turizmi dhe siguria ushqimore. Këtë e bëri të ditur drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Petrit Malaj, Binaj tha se po mblidhen të dhëna, përfshirë edhe nga bankat, lidhur me pagesat që realizohen përmes platformave digjitale në kuadër të tregtisë online. Sipas tij, këto raste do të trajtohen nga drejtoritë përkatëse të DPT-së.

Kreu i Tatimeve nënvizoi se kontrollet sektoriale do të vijojnë edhe në fusha të tjera, të lidhura me aksionet e nisura gjatë vitit të kaluar, si shitja e automjeteve. Për këtë sektor, faza e parë e kontrolleve është drejt përfundimit, me rreth 100 individë të përfshirë dhe rezultate të konsideruara pozitive, ndërsa monitorimi do të vijojë edhe gjatë këtij viti.

Gjithashtu, si sektor me risk është identifikuar edhe shitja e aksioneve, konkretisht transaksionet mes individëve për kompani të ndryshme, të cilat nuk pasqyrojnë vlerën reale të tregut. Binaj bëri të ditur se Administrata Tatimore ka zhvilluar një model të ri vlerësimi për këto transaksione, të cilat do të adresohen gjatë vitit 2025.



Burimi Monitor.al